Shugurimi Diakonal

Gjatë formimit në jetën françeskane janë disa etapa që kandidati kalon për të mbërritur në momentin e shugurimit. Pas marrjes së kushteve të përjetshme në jetën rregulltare dhe pas përfundimit të studimeve teologjike, fillon përgatitja për shugurimin diakonal.

Vjen pyetja: Çfarë është diakoni, dhe çfarë detyre ka? Kuptimin më të saktë të këtij termi e gjejmë në vetë etimologjinë e fjalës “diakon”, që vjen nga greqishtja (διάκονος – diákonos) dhe do të thotë shërbyes. Pra detyra parësore e diakonit është shërbimi.

 

Nga kjo pastaj rrjedhin edhe të gjitha funksionet e tjera. Sigurisht, nuk është vetëm diakoni që është i thirrur të shërbejë, por ai duhet ta bëjë këtë gjë në mënyrë të domosdoshme dhe tërësisht të veçantë, duke shpallur Lajmin e gëzueshëm dhe duke dhënë një dëshmi të vërtetë dashurie, mirësie dhe dhembshurie. 

 

Provinca Françeskane Shqiptare edhe mbarë dioqeza e Shkodrës e përjetoi këtë gëzim me shugurimin diakonal të Fra Anton Gilaj e Fra Tomë Bushpreni. Mesha e shugurimit u kremtua me datë 03.07.2025 në Kishën e “Shën Françeskut”, Gjuhadol, Shkodër në orën 10:00. Ajo u kremtua nga Arqipeshkëvi i Shkodër-Pultit Mons. Giovanni Peragine. Të pranishëm ishin Fra Pashko Gojçaj, O.F.M., Provincial i Provincës Françeskane të Shqipërisë dhe Malit të Zi “Zoja Nunciatë”, Fra Ivan Sesar, O.F.M., Delegati Gjeneral nga Roma, fretërit nga Kosova dhe fretërit kroat nga provinca e Bosnies, meshtarë të shumtë nga dioqeza të ndryshme, si p.sh., nga dioqeza e Shkodrës e Tivarit dhe e Prishtinës. Të pranishëm ishin edhe familjarë, miq të Fra Antonit e Fra Tomës.

 

Ky kremtim u zbukurua edhe nga zërat melodioz e të bukur nga kori i kishës së “Shën Françeskut”, të cilët bënë të mundur që me këngë të hynim më thellë shpirtërisht në liturgji.

 

 

 

 

Teksti: Fra Sergjo Jaku O.F.M.