Në asamblenë e 4 dhjetorit të vitit 2014 Qeveria Gjenerale e Urdhrit ka publikuar dekretin e 14. 11. 2014, me të cilin ndërrohet statusi i Provincës Shqiptare në atë të Kustodies të varur nga Ministri Gjeneral, me një Asistent Gjeneral në personin e fra Lovro Gavran dhe me një Kustod në personin e fra Aurel Gjerkaj, i cili e drejton Kustodien së bashku me Këshillin tre anëtarësh. Kustodia zyrtarisht quhet: “Kustodia Françeskane Shqiptare e Zojës Nunciatë”.

 

Kust. ID Emër Kontakt
 C42 Custodia Francescana Albanese della B.V.M. Annunziata

sekretariaekustodies@gmail.com

www.ofm.al 

Pajtorja kryesore e Kustodies

 

 

ZOJA NUNCIATË

Françeskanët në Shqipëri

Fillimi i jetës françeskane në Shqipëri ndërthuret me zanafillën e vetë Urdhrit françeskan. Një traditë gojore thotë se vetë Shën Françesku, së bashku me disa shokë, ishte ndalur në tokën shqiptare, në Lezhë, në vitin 1220, në kthimin nga udhëtimi në Tokën e Shenjtë.

Viti 1240 sheh në Lezhë ndërtimin e kishës françeskane më të vjetër të Shqipërisë, që ende sot ekziston, dhe në këtë kishë është edhe mbishkrimi në gjuhën latine, mbi traun e derës, që thotë: “Hoc Templum Fratrum Minorum aedificatum est AD MCCXL” (Kjo Kishë e Fretërve Minorë është ndërtuar në vitin 1240).

Në të njëjtën kohë, në vitin 1248, Papa Inocenti IV e ka emëruar arqipeshkëv të Tivarit françeskanin fra Giovanni nga Pian del Carpine, i cili ishte ipeshkvi i parë i Urdhrit françeskan dhe me siguri ka sjellë me vete bashkëvellezërit e vet për t’i ndihmuar në veprën ungjillëzuese.

 

Në këtë periudhë të parë prania françeskane zhvillohet mbi të gjitha në qytete më të mëdha të bregdetit shqiptar, pa përjashtuar Shkodrën, dhe juridikisht është e lidhur përpara me Provincën Kroate (Provincia Sclavoniae), e pastaj me Kustodien e Dubrovnikut.

 

Provinca Françeskane Shqiptare para pushtimit turk kishte mbi 30 kuvende; 12 prej tyre ishin vetëm në Luginën e Matit. E në regjistrin e provincave të Urdhrit gjendej në vendin nr. 31.

 

Pushtimi turk (gjysma e shek. XV), që ka si pasojë shkatërrime dhe islamizim, sheh një shkurtim drastik të jetës së krishterë në përgjithësi dhe të vetë Provincës françeskane, megjithatë pa e shkaktuar krejtësisht zhdukjen e saj. Mbijetuan vetëm pesë kuvende dhe Provinca ra në rang të Kustodies.

 

Në vitin 1593 është themeluar prapë “Provinca Epirotike”, me të gjitha të drejtat e mëparshme. Pak më vonë Kongregata e posalindur de Propaganda Fide (1622) promovon një dërgim të vazhdueshëm të misionarëve nga Provinca të tjera të Urdhrit, mbi të gjitha të Reformatëve italianë.

 

Pasi në vitin 1719 vdiq provinciali i fundit shqiptar, fra Martin Gjonmi, Ministri gjeneral i Urdhrit françeskan, fra Lorenci nga San Lorenzo, me nxitjen dhe me përkrahjen e papës shqiptar, Klementit XI, e mori Provincën françeskane shqiptare në drejtimin e vet personal dhe vendosi ta përkrahë Provincën me misionarë të jashtëm, kryesisht nga Italia. E emëroi provincialin e parë, fra Lorencin M. nga Santa Croce. Kjo provincë e ripërtërirë e vazhdoi jetën deri në vitin 1832 dhe kishte 37 provincialë, të emëruar nga Ministri Gjeneral.

 

Në këtë kohë shërbimi misionar, i zhvilluar në mes të njëmijë vështirësive, numëron dhjetëra martirë, ndër të cilët mund të përmendim: fra Paolo nga Mantova dhe fra Salvatore nga Offida, të vrarë me shpatë, buzë lumit Cem, në Kelmend, më 14. 12. 1644. Pastaj edhe fra Ferdinando nga Albisola dhe fra Giacomo nga Sarnano, të ngulur në hu në Pazar të Shkodrës, me 28. 02. 1648; si edhe fra Antonio da Sora, të varur në afërsi të Shkodrës, më 09.  05. 1718.

Me të gjitha këto persekutimet, kjo Provincë ekzistonte deri më 09. 10. 1832, kur u shndërrua në Misionin Apostolik, të ndarë në pesë Prefektura Apostolike: 

Prefektura e Epirit, e cila shtrihej në Dioqezën e Durrësit, të Lezhës dhe të Sapës (me famullitë: Bizë, Laç-Kurbin, Lezhë, Rubik, Troshan), e prej vitit 1895 edhe në Dioqezën e Shkupit (me famullinë e Pejës – me 62 fshatra). Në të njëjtin vit u shtuan edhe këto famulli të Sapës: Iballe, Berishë, Fierzë, Kryezi e Gomsiqe. 

 

Prefektura e Pultit, në Dioqezën e Pultit (me famullitë: Shalë, Shosh, Toplanë, Dushman, Plan, Kir e Nikaj-Mertur). 

 

Prefektura e Kastratit, në Arqidioqezën e Shkodrës (me famullitë: Kastrat, Rapshë, Traboinë, Bajzë, Grudë, Selcë e Vukël).

Prefektura e Maqedonisë, kryesisht në Dioqezën e Durrësit (me famullitë: Lurë, Baz, Pëshkash, Janinë dhe Prevezë), e një pjesë edhe në Dioqezën e Lezhës (famullia Pëdhanë).

 

Prefektura e Serbisë, në Arqidioqezën e Shkupit (me një famulli në Zym dhe me Shenjtëroren e Shna Ndout në Gjakovë). (Krh. Schematismus almae Provinciae missionariae Albaniae, Sarajevo, 1908, fq. 24-30;

Donat Kurti, Prov. Fr. Shq., 16-17). 


Drejt ripërtëritjes së Provincës

Në Shqipëri vepronin dy degë fretërish: fretër të Reformuar, kryesisht nga Italia, dhe Observantët, nga Bosnja dhe nga Italia. Ata bashkëpunonin shumë mirë ndër vete dhe mundoheshin fort rreth ripërtëritjes së Provincës. Më 22. 08. 1877 i përcollën për Firencë tetë djem shqiptarë – në shkollë për fretër. Mirëpo, dëshira e tyre ishte që fretërit e rinj të formohen në Shqipëri.

 

Hapi i parë në rrugën e ripërtëritjes së Provincës françeskane shqiptare ishte themelimi i Seminarit françeskan (Kolegj) në Troshan, më 14. 06. 1882, për të cilin merita më të mëdha i kanë Fra Marian Pizzochini nga Palmanova (në Itali) dhe Fra Gian-Piero Ferrari nga Bergamo (Itali).

 

Në vitin 1886 u nis grupi i parë, prej gjashtë djemsh, të përgatitur në Seminarin e Troshanit, për formim të mëtejshëm në Bosnje. Ata ishin: fra Gjergj (Zef) Fishta, fra Severin (Martin) Lushaj, fra Zef (Mihill) Mesi, fra Lorenc (Pashk) Mitroviq (Mazrreku), fra Engjëll (Sebastian) Paliq dhe fra Pjetër (Simon) Vrusha (Gjadri). 

Në vitin 1883, me përpjekje të madhe të fra Tomë Marcozzit, Reformatët e themeluan Seminarin e vet në Bajzë të Kastratit, kështu që Seminari i Troshanit u mbeti Obesrvantëve. Mirëpo, vetëm pas katër viteve Seminari i Bajzës u transferua në Kuvendin françeskan të Gjuhadolt në Shkodër, i cili po ashtu u takonte Observantëve. Por shumë shpejt, më 19. 09. 1889, u bashkuan familjet e ndryshme të Fretërve Minorë.

 

Seminaristët e Troshanit zakonisht vazhdonin studimet në Bosnje, e më vonë në Tirol të Austrisë, kurse ata të Shkodrës në Itali.

Më 31. 01. 1898 Ministri Gjeneral, fra Aloysius Laurer, i ka bashkuar të gjitha 5 prefektura misionare në një Komisariat Gjeneral, në krye me një Komisar Gjeneral, apo, siç thirrej ndonjë herë: Provincial “ad instar”. Komisari i parë ishte fra Augustin Zubac (1896-1902), nga Provinca e Hercegovinës.

 

Ky i ka bashkuar dy seminare të vogla (atë të Troshanit dhe atë të Shkodrës) në një – në Shkodër. Po ashtu i bashkoi edhe dy noviciate në një – në Rubik. Veprën e tij vazhdoi pasardhësi i tij, fra Anastasio Vincenzoni (1902-1906), e kështu u përgatit rruga për ripërtëritjen e Provincës.

 

Më në fund, me dekretin e Min. Gen. OFM, fra Dionysius Schuler, të datës 23 prill 1906, u ripërtëri Provinca Françeskane Shqiptare, me të gjitha të drejtat e mëparshme. Provinciali i parë ishte fra Lovro Mihačević nga Provinca Françeskane e Bosnjës. 

Lulëzimi dhe shkatërrimi i dhunshëm i Provincës

Ripërtëritja e Provincës është një moment i madh i lulëzimit fetar, kultural dhe kombëtar në Shqipëri. Këtë na e dëshmon angazhimi i ripërtërirë misionar në 38 famulli në 8 dioqeza: kisha e Shën Françeskut në Shkodër, Gjimnazi klasik Liceum Illyricum, revista historike-letrare Hylli i Dritës, revistë baritore Zani i Shna Ndout, personalitetet e shkëlqyeshme dhe të gjithanshme, siç ishin At’ Gjergj Fishta, At’ Martin Gjoka, At’ Shtjefën Gjeçovi etj.

 

Pas Luftës së Parë botërore Shqipëria pësoi një cungim të territorit të saj, duke kaluar një pjesë në ish Jugosllavi. Me ndarjen e territorit u bllokua komunikimi i fretërve me Provincën nënë. Prandaj në vitin 1925 Ministri Gjeneral fretërit që jetonin në Mal të Zi ia bashkangjiti Provincës së Shën Jeronimit në Zarë, kurse ata të Kosovës ia bashkangjiti Provincës së Lartësimit të shën Kryqit në Bosnje (Sarajevë). 

Para Luftës së II botërore Provinca kishte: një kryeipeshkëv, një ipeshkëv, 63 meshtarë, 16 studentë teologjie, 9 novicë e 30 seminaristë, pothuajse të gjithë shqiptarë. Fretërit shërbenin afërsisht 50.000 besimtarë katolikë

Por, mjerisht, ardhja e rrëgjimit komunist e ndali zhvillimin, duke shkurtuar tmerrësisht fillesat premtuese, përpara me kufizimin e lirisë fetare, e pastaj me ateizmin e shtetit dhe me ndalimin e çdo aktiviteti fetar (nga viti 1967).

 

Edhe një herë dëshmia misionare bëhet martirizim. Janë, në fakt, 14 fretër minorë shqiptarë të vrarë ose të vdekur nga torturat në burg, 32 janë të dënuar me burg të përjetshëm, 27 në punë të detyruar. – Tetë prej tyre janë shpallur të lumtur, më 05. 11. 2016, në Shkodër. 

Françeskanët pas komunizmit

Rënia e komunizmit (në nëntor 1990) sheh ende në jetë një skuadër prej dhjetë fretërve: nëntë meshtarë dhe një frat laik, të mbijetuar provave të panumërta.

 

Komunizmin në Shqipëri e kanë mbijetuar këta fretër shqiptarë: fra Aleks Baqli, fra Dioniz Makaj, fra Konrad Gjolaj, fra Konstantin Pistulli, fra Leon Kabashi, fra Robert Ashta, fra Salvator Hajmeli, fra Shtjefën Pistulli, fra Viktor Volaj dhe fra Zef Pllumi. Jashtë Shqipërie kanë mbijetuar këta fretër shqiptarë: fra Ambroz Martini, fra Andre Nargaj, fra Daniel Gjeçaj, fra Jak Marlekaj.

 

Falë këmbënguljes së tyre, françeskanët kanë mbajtur afërsisht 800 vjet të pranisë së pandërprerë në Shqipëri.

Posa erdhi liria e fesë në Shqipëri, Ministri posa i zgjedhur Gjeneral OFM, fra Hermann Schalück (në vitin 1991), kërkoi prej provincave të ndryshme ndihmë në personel për Shqipërinë, si misionarë. Si Delegat Gjeneral për Provincën Françeskane Shqiptare e emëroi fratin e Provincës Serafike të Asizit, fra GianMaria Polidoro, kurse si Vice-delegat, fra Lovro Gavran, të Provincës së Bosnjës.