Njohja e gjurmëve të shën Françeskut

Në data 12 deri në 20 maj 2019, novicët e Provincës françeskane “Zoja Nunciatë” në Shqipëri dhe Mal të Zi: fra Kolë Thaqi, fra Anton Selitaj dhe fra Tomë Bushpreni, së bashku me mësuesin e tyre fra Marko Ešegović, morën pjesë në një pelegrinazh tradicional të organizuar nga “Konferenca e Provincialëve OFM të ish Jugosllavisë”, me novicët e Provincës së Splitit (Kroaci), të Provincës së Zagrebit (Kroaci), të Provincës së Bosnjës dhe të Provincës së Hercegovinës, në Asizi, në qytetin e vogël  që ndodhet në Italinë qendrore, ku  lindi dhe jetoi themeluesi i Urdhrit tonë shën Françesku. Pelegrinazhi filloi të dielën 12 maj, me udhëtimin për Bari nga Durrës. Nga Bari me makinë shkuan në shtëpinë e noviciatit interprovincial të krahinës së jugut të Italisë, që ndodhet në Piedimonte Matese, vend afër Napolit, që ndodhet novici ynë fra Anton Gilaj. Aty i mikpriti guardiani i kuvendit fra Gennaro Russo dhe novicët, atje qëndruan një natë.

 

Të nesërmen me datën 14 majë 2019 arritën në Asizi, u sistemuan në shtëpinë e “Madonna delle Rose” të motrave Françeskane Misionare të Marisë që ndodhet mbrapa Bazilikës së Marisë së Engjëjve. Në kishën e Shën Damjanit, në  vendin e kthimit të shën Françeskut dhe ndryshimit të jetës së tij, u kremtua Mesha e shenjtë nga mësuesi i novicëve të Provincës së Splitit (Kroaci) fra Ivan Režić. Në mbrëmje kanë lutur Mbrëmësoren në bazilikën e Marisë së Engjëjve në gjuhën Italiane.

 

Në ditën e dytë, të mërkurën, më datën 15 maj, shkuan e vizituan luginën Reatina në disa vende që ka kaluar jetën shën Françesku. Gjatë rrugës u ndalën e vizituan Shenjtëroren e Rivotortos, vend që ka jetuar shën Françesku. Vendi i parë që kanë vizituar në luginën Reatina ishte Greccio, vendi ku shën Françesku së bashku me Giovanni një fshatar bëri Betlehemin e parë të gjallë të Krishtlindjeve. Në Greccio u kremtua Mesha e shenjtë e drejtuar nga fra Tomislav Faletar, mësuesi i novicëve të Provincës së Zagrebit (Kroaci), kurse predikoi zëvendës mësuesi fra Ljubo Sesar. Vendi i dytë që vizituan ishte në Fonte Colombo, e rëndësishmja e këtij shenjtëroreje është sepse shën Françesku ka shkruar “Rregullat”. Vendi i fundit ishte në shenjtëroren e La Forestes ku shën Françesku ka shkruajtur një pjesë të “Këngëve të Krijesave” dhe bëri mrekullinë e famshme të rrushit. Në këtë vend ndodhet “Mondo X”, shoqata për personat me probleme emocionale.

 

Më datën 16 maj, të enjten, u kremtua Mesha e shenjtë në Bazilikën e Marisë së Engjëjve në Porciunkulla. Porciunkulla u bë një vend i veçantë për shën Françeskun, ku shpesh herë ai ndaloi dhe lutej; këtu ai e kuptoi se si duhej të jetonte "sipas Ungjillit të Shenjtë". Meshën e udhëhoqi mësuesi i novicëve nga Shqipëria fra Marko Ešegović. Kurse pas dite shkuan për të vizituar Carcerin, një vend afër Asizit ku ndodhen shpellat e fretërve të parë ku ata luteshin me shën Françeskun. 

 

Ditën e katërt, të premten, më datën 17 maj, herët në mëngjes, ishte Mesha e shenjtë në varrin e shën Françeskut që e kremtoi mësuesi i novicëve të Provincës së Hercegovinës fra Stanko Mabić. Pas Meshës, me ndihmën e një frati konventual nga Kroaci, fra Zlatko Vlahek, që ndihmojë si udhë rrëfyes të Kuvendit të Shenjt (Sacro Covento), dhe vendeve më të rëndësishme si dhoma ku ka jetuar shën Jozefi nga Kopertino. 

 

Më datën 18 maj, të shtunën, u nisën nga Asizi për në La Verna, në vendin që shën Françesku ka marrë stigmat e Jezu Krishtit. Më të mbërritur dhe sistemuar nëpër dhoma, u kremtuar Mesha e shenjte në kapelën e Marisë së Engjëjve. Meshën e drejtoi fra Kole Thaqi, novici shqiptar nga Kosova që është meshtarë. Në orën 15:00 në bazilikën, morën pjesë në lutjen e orës së mesme, të nëntë, duke bërë procesionin drejt kapelës së Stigmave, në kujtim kur shën Françesku ka marrë stigmat e Jezu Krishtit .

 

Në ditën e fundit të pelegrinazhit më 19 maj, të dielën, në mëngjes herët ishte Mesha e shenjtë në kapelën Stigmave e drejtuar nga fra Marinko Baotić, mësuesi i novicëve të Provincës së Bosnjës. Pas mëngjesit novicët përgatiten çantat për udhëtim.

 

Kjo javë pelegrinazhi ishte një mundësi për të njohur sa më mirë vendet dhe jetën e shën Françeskut, se si ai ka gjetur Zotin në jetën e tij, dhe për të gjithë ne na ndihmon për të kuptuar thirrjen e gjithsecilit që na bën Zoti në ketë botë.

 Fra Tomë Bushpreni