Pranime dhe përtëritje të rishtarëve në Provincën Françeskane

Për çdo ndodhi, ngjarje, pozicion apo detyrë të rëndësishme që një person kërkon të arrijë dhe të përjetojë lypset një “përgatitje” e veçantë, kohëzgjatja e së cilës ndryshon në bazë të objektivit që kërkohet për t’u arritur. Kjo përgatitje është vendimtare për çdo njeri pasi jo vetëm që të mëson dhe thellon më shumë në synimin drejt të cilit personi është drejtuar, por edhe i jep një vlefshmëri më të madhe momentit të përmbushjes së saj. Një përgatitje e tillë përshkohet nga të gjithë ata e vendosin jetën e tyre në shërbim të Zotit. Pasi një person jep “Po”-në fillestare duke iu përgjigjur thirrjes së Zotit, ai vazhdon tek fazat e tjera, në fund të të cilave mund realizojë shërbimin e tij si frat, prift, motër, laik etj. Në gjuhën e Kishës kjo përgatitje njihet si “faza e formimit”, e cila përgjithësisht në Urdhrin françeskan të fretërve minorë kalon nëpër shtëpitë formuese të Postulandatit, Noviciatit dhe Klerikatit (Post-noviciatit).

 

Këtë vit në Provincën Françeskane Shqiptare, në festën e Varrëve të Shën Françeskut, të tria këto faza të formimit janë bashkuar në një kremtim të vetëm, të mbajtur në kapelën e Martirëve Shqiptarë, më 17 shtator 2023 në orën 19:00. Udhëheqësi i këtij kremtimi, i cili është ndërthurur me lutjen e Mbrëmësores, ishte provinciali fra Pashko Gojçaj. Menjëherë pas heshtjes së mbajtur me përfundimin e Leximit të Shkurtër, fra Pashku u drejtoi rishtarëve disa qortime dhe këshilla, ashtu siç shën Françesku ua drejtonte fretërve të tij. Në vijim të këtyre fjalëve u zhvillua riti i pranimit në Postulandat, ku i riu Eduard Daka me anë të gjestit simbolik të dorëzimit të Tau-t nga fra Pashku filloi zyrtarisht ecjen e tij në familjen françeskane. Gjatë kësaj kohe Eduardi do të thellohet në thirrjen e tij me anë të jetës në vëllazëri sipas modelit të shën Françeskut.

 

Pas pranimit në Postulandat, ky kremtim vazhdoi me ritin e pranimit në Noviciat, i cili ishte një moment mjaft emocionues dhe i ndjerë nga vëllazëria, pasi një i ri tjetër, tashmë fra Kreshnik Marku, pas përfundimit të vitit të Postulandatit hoqi rrobat e shekullit dhe u vesh me zhgunin e përvujtërisë. Me gjestin e veshjes së zhgunin, fra Kreshniku fillon vitin e Noviciatit, të cilin do ta vijojë në La Verna, aty ku pikërisht zë fill edhe festa e Varrëve të Shën Françeskut, pasi në atë vend Ati Serafik vuloset nga Jezu Krishti me stigmat e shenjta. Në fund u zhvillua edhe riti i përtëritjes së kushteve të përkohshme të fra Kolë Thaqi, fra Gjergj Deda, fra Tomë Bushpreni, fra Sergjo Jaku dhe fra Lorenc Pepniku. Në të njëjtën ditë në Itali, në meshën e mëngjesit, fra Anton Gilaj ka bërë ripërtëritjen e kushteve të përkohshme. Fretërit e sapopërmendur iu kushtuan edhe një herë Zotit në familjen françeskane për një vit me anë të kushtit të dëgjesës, varfërisë dhe pastërtisë. Pasi momentit të përtëritjes, të gjithë rishtarët dhe fretërit e pranishëm morën bekimin e fundit nga fra Pashku. Në përfundim të kremtimit fretërit u gjendën së bashku në një darkë vëllazërore për të bashkëndarë gëzimin, i cili ishte fryt i veprës së Zotit, i cili i ka thirrur këta të rinj për t’u vënë në shërbim të tij. Njësoj si këtyre të rinjve, Krishti me fjalët “Eja e shih” u drejtohet të gjithë të rinjve kudo nëpër botë, që ta hapin zemrën e tyre dhe ta dëgjojnë zërin e Zotit.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

 

Fotot: Fra Aurel Gjerkaj