Urdhri i Fretërve Minorë

Ky Urdhër, i të drejtës papnore, i përket Kishës Katolike. E ka themeluar shën Françesku i Asizit (1181-1226). Zoti në mënyra të ndryshme e drejtoi shën Françeskun drejt një jete të kushtuar krejtësisht Atij.

 

Takimi i tij me të gërbulurit dhe kundrimi i Krishtit të kryqëzuar në kishën e shën Damjanit (1204/1205) i frymëzojnë Françes-kut një formë jete ungjillore, që ka si model bashkësinë apostolike, të udhëhequr nga Jezusi. Shumë shpejt Françeskut dhe idealit të tij i bashkohen edhe shokë te tjerë, numri i të cilëve rritet gjithnjë e më shumë.

 

Karakteristikat themelore të kësaj familjeje të re rregulltare janë: jeta në bashkësi, e hapur si për laikët, po ashtu edhe për klerikët; vogëlsia e shprehur në një stil jete të thjeshtë, të varfër dhe pendestare; përparësia e lutjes së hapur drejt jetës kundruese; shpallja e Ungjillit të predikuar me vepra e me fjalë të krishterëve dhe jo të krishterëve.

 

Kjo formë jete, e përmbledhur në pak citime të Ungjillit, pati një miratim të parë gojor nga papa Inocenti III (në vitin 1209/1210), për të qenë më vonë përfundimisht e miratuar si Rregullë nga papa Honori III (më 29. 11. 1223). 

Giotto di Bondone - Asizi - Shën Françesku dhe papa Inocenti III