Shfaqje nga kori i konkatedrales së Tivarit

Me datën 20 qershor 2021 në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, kori i konkatedrales së Shën Pjetrit në Tivar ka performuar një shfaqje muzikore, gjatë së cilës të pranishmit kanë pasur mundësinë të shijojnë disa vepra të kompozitorëve të mëdhenj, por jo vetëm. Shfaqja ka filluar në orën 19:00, menjëherë pas meshës së orës 18:00. I gjithë programi ishte i ndarë në dy momente kryesore. Në pjesën e parë ka performuar kori i fëmijëve. Pjesët muzikore të kënduara nga këta artistë të vegjël ishin: “Adoramus Te”, “Ave Maria” , “Vois sur to chemin”. Këngët morën një ngjyrim të veçantë prej zërit melodioz të fëmijëve.

 

Në pjesën e dytë performoi kori polifonik i konkatedrales së Arqipeshkvisë së Tivarit. Veprat kryesore të kënduara prej tyre ishin: “Miserere Mei”, “Cantate Domino”, “Ave Maria”, “Sanctus”, “Agnus Dei”, “Panis angelicus”. Siç shihet edhe nga titulli i këngëve, pjesa më e madhe e tyre kanë karakter fetar. Cilësia me të cilën ky kor ka performuar këto kryevepra të kompozitorëve si: Bach, Moxart, Mendelsohn etj. ishte shumë e lartë dhe këtë fakt e dëshmuan ndër të tjera edhe duartrokitjet e pandërprera të të pranishmëve. Ndonëse pjesëtarët e këtij kori ishin të grup-moshave dhe realiteteve të ndryshme bashkëveprimi dhe harmonia e tyre shfaqej pikërisht tek mjeshtëria me të cilën performuan këto pjesë muzikore.

 

I pranishëm në këtë shfaqje muzikore ishte arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult imzot Angelo Massafra dhe provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj. Gjithashtu nuk munguan as besimtarët, seminaristët, rregulltarët e rregulltaret e kongregatave të ndryshme. Nisma dhe organizime të tilla janë të domosdoshme, pasi përbëjnë një pjesë të rëndësishme të kulturës së një vendi.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku