Kujtimi i martirit shqiptar

Më datën 11 maj  2019, në kishën “Zoja Nunciatë'' në Lezhë, u kujtua përvjetori i fra Serafin Kodës.  Përkujtim filloi në orën 16:30 me rruzaren e shenjtë. Pas rruzares u kremtua mesha solemne e udhëhequr nga ipeshkvi i Lezhës mons. Ottavio Vitale, bashkë kremtuan fretërit e kuvendit me guardianin dhe famullitarin fra Vitor Demaj, mësuesin e novicëve fra Marko Ešegović, novici fra Kolë Thaqi, fra Sokol Pepushaj që shërben  në shenjtëroren në Laç dhe dom Emanuel Cutajar, famullitari i Torovicës.

 

Fra Serafin Koda u lind në Janjevë - Kosovë, më 25. 04. 1893 i përket Urdhrit Françeskan të Provincës së Zojës Nunciatë në Shqipëri e Mal të Zi. U pranua në Noviciat në Rubik, më 2. 08. 1909 dhe bëri kushtet e përkohshme në Rubik, më 28. 08. 1910 dhe kushtet e përjetshme më 28. 04. 1915. U shugurua meshtar më 30. 06. 1915. Kishte kryer detyrën e mësuesit, definitorit dhe ekonomit Provincial. Ishte famullitar në Rajë-Mertur, Dushman, Bizë, Shalë, Prekal, Bushkash, Vukël por sidomos edhe në kishën famullitar “Zoja Nunciatë’’ në Lezhë. U arrestua dhe u burgos në Lezhë, më 13. 10. 1946 në të njëjtin kuvend, të transformuar në burg. Pa gjyq dhe pa dënim, vdiq për shkak të torturave në Lezhë, më 11. 05. 1947. Trupi i tij pushon në kishën françeskane “Zoja Nunciatë’’ në Lezhë.

 

Mons. Ottavio gjatë predikimit preku shumë jetën e shenjtit, se si ai i merrte komunistet që e torturonin si miq të tij. Dhe foli për një infermier Marije Ndoja që i ka qëndruar afër të lumit dhe e ka varrosur, si një shembull i një të krishtere të vërtetë.

 

Shumë besimtarë erdhën për të përkujtuar martirin e lumë dhe për ti kërkuar atij ndërmjetësim te Zoti. Mbas meshës fretërit e kuvendit kishin përgatitur një koktej për të gjithë besimtarët të pranishëm sepse vetë i lumi fra Serafini kur ishte famullitar i kishës i donte shumë besimtarët dhe qëndronte me ta.

 

Fra Tomë Bushpreni