Festa e shën Françeskut

Shën Françesku i Asizit është një shenjt i dashur nga shumë njerëz në botë, për shkak të madhështisë së vogëlsisë së tij. Ai arriti të ketë një ndikim shumë të madh në rrjedhën e ngjarjeve të Kishës katolike. Synimi i vetëm që kishte ky shenjt kishte gjatë jetës së tij ishte: zbatimi i Ungjillit. Festa e tij festohet më 04 tetor e në prag të kësaj feste kremtohet Transitus, që është përkujtimi i kalimit të tij në amshim. Në mbrëmjen e 3 tetorit të vitit 1226 ai i bekoi fretërit e tij, këndoi me vëllezër Këngën e krijesave, dëgjoi një pjesë të Ungjillit dhe më në fund së bashku me vëllezër këndoi Psalmin 141, e pastaj kaloi në amshim. Varrimi i tij u bë më 04 tetor në Asizi.

 

Transitus është kremtuar më 03 tetor 2020 në kishën e shën Françeskut në Gjuhadol në orën 18:00. Udhëheqësi i këtij riti ishte asistenti i Ministrit Gjeneral në Shqipëri fra Lovro Gavran. Ishin të pranishëm mons. Hil Kabashi, provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj, guardiani i kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol fra Aleksandër Tanushi, mësuesi i klerikëve fra Ilija Kovačević, si dhe shumë fretër të tjerë minorë e kapuçinë. Në këtë kremtim bashkëngjitur lutjes së Mbrëmësores ishin edhe disa lexime të marra nga Burimet Françeskane. Në fund të këtij kremtimi është bërë edhe bekimi i bukës, e cila iu shpërnda të pranishmëve.

 

Ndërsa në Tiranë, Lezhë e Bajzë, qytete në të cilat shërbejnë fretërit, Transitus është kremtuar me lutjen e Mbrëmësores.

 

Të nesërmen më 04 tetor 2020 janë kremtuar dy meshë në kishën e Shën Françeskut. Mesha e parë ishte në orën 08:30, ndërsa e dyta në orën 17:00. Në mëngjes meshën e udhëhoqi mons. Hil Kabashi, ndërkohë që bashkëkremtues ishte fra Lovro, fra Aleksandri dhe fra Ilija. Ungjilli u këndua nga fra Aleksandri, kurse predikimin e bëri mons. Hila, i cili i përket Urdhrit të fretërve minorë. Pastaj pasdite meshën e kremtoi fra Prelë Syla OFMCap, i cili ishte i shoqëruar nga fretër të tjerë kapuçinë. Gjatë meshëve kanë ndihmuar klerikët me shërbime të ndryshme. Në fund nuk munguan as falënderimet drejtuar të gjithë atyre që i përkasin tre Urdhrave françeskanë dhe besimtarëve të cilët janë veçanërisht të devotshëm ndaj Varfanjakut të Asizit.

 

Gjithashtu më 04 tetor është kremtuar mesha tek motrat klarise në Shkodër në orën 08:00. Meshën e ka udhëhequr provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj. Gjatë predikimit ai foli thelbin e jetës së varfanjakut të Asizit, i cili tërë jetën e tij është mundur t’i përngjajë Krishtit. Në fund ai i uroi të gjithëve festën e shën Françeskut.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku