Koncerti "Sanctus es"

Viti 2021 ka qenë një vit i veçantë për fretërit minorë, pasi është përkujtuar 800-vjetori i Rregullës së Pavulosur të shën Françeskut, në të cilën shprehet thelbi i asaj që vetë Françesku donte për vete dhe vëllezërit e tij. Njëkohësisht në këtë vit ka qëlluar edhe 700-vjetori i vdekjes së poetit të famshëm Dante Aligerit, i cili në një pjesë të vogël të kryeveprës së tij i këndon edhe shenjtërisë së Françeskut të Asizit. Për këto arsye, në fund të këtij viti të veçantë, fra Luigi Aluisi ka sjellë kontributin e tij personal me një projekt letraro-muzikor të titulluar “Sanctus es”.  

 

Koncerti për kor, organo dhe orkestër, i shfaqur në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol në orën 18:00, është një nismë nga Provinca françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë” në bashkëpunim me motrat klarise të manastirit “Shën Kjara” në Shkodër. I tërë koncerti ishte i përbërë nga lutje të ndryshme të shën Françeskut, të cilat erdhën të muzikuara nga fra Luigi Aluisi. Lutjet e kënduara ishin të gjitha në gjuhën e tyre ogjinale; pra në latinisht. Ndër më kryesoret ishin: “Summe, gloriose Deus”, “Absorbeat”, “Adoramus te”, “Omnipotens”, “Laudes Dei altissimi”, “Laudes creaturarum” e të tjera. Të pranishmëve u është dhënë një libret i vogël me anë të të cilit kanë pasur mundësinë t’i ndjekin lutjet qoftë në latinisht, qoftë në shqip. Pas secilës lutje, me anë të video-projektorit janë shfaqur video të ndryshme kushtuar shën Françeskut, shën Kjarës dhe Dante Aligerit. Asambli muzikor dhe koral u dirigjua nga Harlen Nikolli. I pranishëm në këtë koncert ishte arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult imzot Angelo Massafra, ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit imzot Gjergj Meta dhe provinciali i Provincës shqiptare fra Pashko Gojçaj. Në këtë mbrëmje u bashkuan edhe shumë meshtarë, rregulltarë e rregulltare, të afërm, miq e dashamirë të françeskanëve.

 

Në fund të koncertit fjalën e mori fra Luigi Aluisi, i cili fillimisht falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre. Ai gjithashtu theksoi se ky projekt nuk ishte vetëm një shprehje e dëshirës së tij personale për të muzikuar lutjet e shën Françeskut, por mbi të gjitha një projekt i vëllazërisë, i cili erdhi si rezultat i bashkëpunimit të fretërve dhe klariseve së bashku. Ai falënderoi provincialin fra Pashkon, rektorin e kishës së Shën Françeskut fra Gazmend Tinajn, motrat klarise, Bora Logun, fretërit kapuçinë të Shkodrës dhe Nënshatit, Harlen Nikollin, solistët Anduel Kovaçin e Daniela Kokën si dhe të gjithë interpretuesit që dhanë kontributin e tyre në paraqitjen e videove, regjistrimet e të cilave u bënë në ambientet e Radio Marisë në Shkodër.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku