Shugurimi i kishës së shën Pjetrit dhe Palit

Të premten, më datën 16 gusht 2019, në përkujtimin e shën Rrokut, ishte shugurimi i kishës së shën Pjetrit dhe Palit në Bajzë nga arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult mons. Angelo Massafra. Në këtë liturgji të shugurimit të kishës morën pjesë provinciali i Provincës françeskane “Zoja Nunciatë” në Shqipëri dhe Mal të Zi fra Aurel Gjerkaj, fretërit nga Lezha, Tuzi dhe meshtarë dhe motra të famullive të tjera.

 

Në fillim të ritit të shugurimit, famullitari i famullisë dhe guardiani i kuvendit në Bajzë fra Valentin Rroku, falënderoi Zotin, mons. Angelon, provincialin fra Aurel, fretërit, meshtarët dhe besimtarët e pranishëm për këtë ditë të bukur dhe të gëzuar për famullinë. Pastaj ai tregoi pakëz mbi historinë e kishës së Bajzës nga koha pas komunizmit deri më sot.

 

Riti i shugurimit filloi në orën 18:00 me bekimin ujit. Pastaj ipeshkvi bekoi me të njëjtin ujë kishën dhe të pranishmit. Riti vazhdoi me dëgjimin e Fjalës së Zotit, predikimin, lutjen e kushtimit, lyerjen me vaj të shenjtë altarin dhe pjesët e kishës, kemimin e kishës dhe të besimtarëve, liturgjinë eukaristike dhe vendosjen e të Shenjtërueshmit sakrament në tabernakull. Në fund të liturgjisë mons. Angelo ia dorëzoi çelësin e të Shenjtërueshmit sakrament në shenjë të kujdestarit të kishës famullitarit fra Valetinit.

 

Në predikim mons. Angelo foli shumë mbi rendësin e kishës duke thënë se kisha nuk është vetëm ato që shohim ne me sytë tanë gurët, pllakat, muret, por bashkësia e vërtete janë njerëzit. Pastaj ai preku edhe mbi respektimin e vendit të Zotit duke i venë njerëzit në vetëdije së vendi i Zotit duhet respektuar në çdo moment të jetës sonë tokësore.

 

Në fund pas ritit të shugurimit ishte koncerti me këngëtaret dhe artistet e Bajzës të cilën e ka organizuar famullia. Pas koncertit ishte darka në oborrin e kuvendit të motrave për të gjithë të pranishmit.

 

Fra Anton Selitaj