Përkujtimi i kalimit të shën Françeskut

Në Vigjiljen e shën Françeskut të Asizit, 3 tetor 2018, Kisha katolike e në veçanti familja françeskane përkujtojnë kalimin në jetën e amshuar të shën Françeskut.

 

Ky përkujtim solemnisht u kremtua edhe në Kishën e shën Françeskut në Gjuhadol në Shkodër në të cilën morën pjesë të gjitha bashkësitë e familjes françeskane nga Arqipeshkvia Shkodër – Pult dhe shumë bashkësi françeskane nga Ipeshkvia e Sapës. Këtë përkujtim e zbukuroj edhe më shumë pjesëmarrja e rinisë françeskane nga gjithë Shqipëria.

 

Ritin e kremtimit të kësaj Vigjilje e drejtoi fra Aleksandër Tanushi, guardian në Kuvendin e shën Françeskut në Gjuhadol, kurse animimin e lutjes të përkujtimit e bëri fra Nunzio Catania në bashkëveprim me klerikët françeskan dhe rininë françeskane.

 

Pas pjesës së parë të Mbrëmësores, ku dëgjuam fjalët e fundit të shën Françeskut si testament për fretër, u përkujtua kalimi nga kjo jetë në jetën e amshuar duke kënduar këngën “O Sanctissima Anima” (O shpirt shumë i shenjtë, ndërsa ngjitesh në qiell, të lumët të dalin përpara; Engjëjt gëzojnë së bashku, Trinia e Lavdishme të fton duke thënë: “Për amshim rri me ne!"), më pas vazhdoj procesioni me truporen e shën Françeskut për të Kisha e shën Kjarës të Kuvendi i motrave klarisa ku fra Aleksandri mbajti predikimin mbi shembullin e jetës së shën Françeskut, ku ndër të tjera tha:

 

Po të kishte bota sot njerëz të tipit të shën Françeskut, do të ishte shumë më e qetë, më e sigurt, më e drejtë dhe më e lumtur, sepse fuqia që e lëviz botën është shpirti, është ideali. Pa shpirt dhe pa ideal s’ka jetë. Por, mjerisht, shpirti dhe ideali i Jezu Krishtit, të cilët janë pasqyruar më së miri në shpirtin dhe në idealin e shën Françeskut, sot janë në krizë sepse tepër pak njerëz të sotëm kanë këtë shpirt e këtë ideal, e për këtë arsye ekzistojnë kriza me përmasa botërore.

Bota sot ka nevojë për një shpirt të ri, për shpirtin e shëndoshë.

-         jo për shpirt që vret e zhduk.

-         jo për shpirt të urrejtjes, të dhunës, e të shkatërrimit.

-         jo për shpirt që gjithmonë ankohet dhe padit.

-         jo për shpirt të zhgënjimit e dëshpërimit.

 

Duhet të kemi shpirtin e dashurisë, mirëkuptimit, miqësisë. Kjo mund të arrihet të jetë së bashku - njerëz të rinj së bashku me të moshuar, bota lindore, me atë të perëndimor, të pasurit me të varfër, të krishterët së bashku me myslimanët dhe religjione tjera. Nuk guxojnë të ekzistojnë mure ndarëse, nuk guxojnë të ekzistojnë kufijtë mes popujve, racave, religjioneve, kulturave.

 

Duhet të jetojmë së bashku – por në një shpirt të shëndoshë, në shpirt të dashurisë, në Shpirt të Zotit! Në këtë shpirt ka jetuar shën Françesku ku edhe na ka lënë testament që këtë shpirt ta kultivojmë dhe ta përhapim në krejt botën. 

 

Pas ndarjes së bekimit solemn nga kremtuesi u bë edhe ndarja e bukës si simbol i familjes françeskane.

 

Fra Sergjo Jaku