Takimi i formimit të vazhdueshëm

Në ecjen e secilit person drejt realizimit të vetvetes përmes një profesioni, pune apo gjendje jete, ndeshen disa faza të veçanta, të cilat janë të nevojshme për formimin e personit në totalitetin e tij. Edhe të qenurit frat është një forma vitae, e cila përshkohet nga një ecje e vazhdueshme, që nuk mbaron me fazat e para formuese (Postulandat, Noviciat, Post-Noviciat), por është subjekt i një përmirësimi dhe ripërtëritjeje të vazhdueshme. Urdhri i Fretërve Minorë parashikon disa takime të formimit të vazhdueshëm, të cilat u vijnë në ndihmë fretërve për të reflektuar mbi jetën françeskane në të gjitha dimensionet e saja.

 

Një takim i tillë është zhvilluar në Provincën françeskane “Zoja Nunciatë” në Shqipëri nga zëvendës Ministri Gjeneral, fra Ignacio Ceja Jiménez. I pranishëm ishte provinciali fra Pashko Gojçaj si dhe Delegati i Ministrit Gjeneral fra Ivan Sesar. Ky takim i organizuar nga Zyra për Formimin e Vazhdueshëm me përgjegjës fra Aurel Gjerkaj, është mbajtur në ambientet e Kuries Provinciale në Shkodër, më 25 shtator 2023, dhe ka pasur në qendër dy temat kryesore të Qindvjetorëve françeskanë të vitit 2023, përkatësisht “Rregullën” dhe “Krishtlindjen në Greço”. Qindvjetori françeskan është një ecje e përbashkët, e cila në një periudhë katërvjeçare do të reflektojë mbi disa aspekte të veçanta të familjes françeskane, ku bashkëngjitur me dy temat e lartpërmendura, do të trajtohen edhe “Kënga e Krijesave”, “Stigmat e Shën Françeskut” dhe “Kalimi në amshim i Atit Serafik”. Takimi i formimit të vazhdueshëm ka mbledhur së bashku thuajse të gjithë fretërit e Provincës, të cilët gjatë këtij momenti vëllazëror përveç dy temave qendrore, edhe janë informuar nga fra Ignacio mbi situatën aktuale të Urdhrit nëpër botë, duke cekur disa nga pikat themelore, të cilat në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi ndikojnë në mbarëvajtjen e familjes françeskane.

 

Lidhur me temën e “Rregullës” fra Ignacio ka paraqitur në formë të përmbledhur evoluimin e tekstit të Rregullës së fretërve minorë, e cila për një periudhë 800-vjeçare ka shërbyer si gur themeli për të gjithë fretërit. Ndërsa në lidhje me Krishtilindjen në Greço ka vendosur theksin tek aspekti vizual i kësaj ngjarjeje, i cili na ndihmon që të vetëdijesohemi edhe për atë çka po ndodh në periudhën në të cilën po jetojmë. Në fund të takimit fjala u është dhënë fretërve në mënyrë që të bashkëndajnë përshtypjet e tyre ose që të thellojnë më shumë ndonjë aspekt të temave të paraqitura. Takimi është përmbyllur me meshën e shenjtë të udhëhequr nga fra Pashku, e më pas me drekën vëllazërore.

 

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku