Për të kuptuar mirë se si funksionon një Kapitull, fillimisht është e rëndësishme të dihet etimologjia e kësaj fjale. Me termin “kapitull” disa murgj të shek. VIII nënkuptonin mbedhjen së bashku për të dëgjuar një “kapitull” të Rregullës së Shën Benediktit. Pak nga pak e njëjta mbledhje u quajt “kapitulli”, ndërsa vendi ku mblidheshin “salla e kapitullit”. “Kapitulli gjeneral” është themeluar nga Cinterciensët në vitin 1195. Pastaj në Koncilin e IV të Lateranit, në të cilin mori pjesë edhe shën Françesku, u vendos që Urdhrat rregulltarë të kremtonin periodikisht kapitujt, sipas shembullit të Cintercienësve. Kështu pak nga pak është zhvilluar dhe përkryer kjo formë e të mbledhurit. Kjo mënyrë përdoret edhe nga françeskanët, të cilët si një Urdhër i mirëfilltë rregulltar, mbajnë Kapitull gjeneral çdo gjashtë vite për të zgjedhur Ministrin gjeneral së bashku me Definitorin gjeneral.
Këtë vit Kapitulli gjeneral u mbajt në Kolegjin Ndërkombëtar kapuçin të Shën Lorencit nga Brindisi (Romë), në datat 3-18 korrik 2021 dhe kishte si temë “Të rinovojmë vizionin tonë, të përqafojmë të ardhmen tonë”. Në kapitull morën pjesë 118 fretër nga e gjithë bota. Ministri gjeneral i zgjedhur në këtë Kapitull është pasardhësi i 121-të i shën Françeskut. Kapitulli zyrtarisht është hapur ditën e shtunë më 3 korrik 2021. Mesha e hapjes është kremtuar në orën 10:00 nga ish-Ministri gjeneral fra Michael Perry, i cili ka shpjeguar domethënien më të thellë të Kapitullit. Pas meshës është mbajtuar liturgjia e hapjes së Kapitullit në Sheshin kryesor të Kolegjit. Pas apelit dhe betimit të zyrtarëve është bërë takimi i 12 konferencave të Urdhrit, e ndjekur nga zgjedhja e moderatorëve dhe skrutatorëve (numëruesve), ndër të cilët është përzgjedhur edhe zëvendës Provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare në Shqipëri dhe Mal të Zi fra Aurel Gjerkaj, i cili ndodhej atje pikërisht si përfaqësues i Provincës sonë.
Gjatë Kapitullit janë paraqitur relacione të ndryshme dhe është punuar në grupe gjuhësore. Në relacionin e tij fra Michael Perry ka shpjeguar vizionin e tij për jetën françeskane dhe realitetin në cilin po jeton ajo. Ndër të tjera kanë bashkëndarë përvojat dhe relacionet e tyre zyrat: DPIK, Ekonomati etj. Më 6 korrik në takimin e mëngjesit ka qenë i pranishëm edhe Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, Kardinali Antonio Tagle. Ky i fundit bashkëndau problematikën e vështirësisë dhe kompleksitetit për të folur rreth Zotit në ditët e sotme.
Pasi janë bërë votimet, ditën e martë, më 13 korrik 2021, Kardinali João Braz de Aviz, Prefekt i Kongregatës për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike, i caktuar nga Shenjtëria e Tij papa Françesku si Kardinal Delegat për të udhëhequr Kapitullin gjeneral OFM 2021, ka shpallur me gëzim se fra Massimo Fusarelli është zgjedhur Ministri i ri gjeneral për gjashtëvjeçarin 2021-2027. Fra Massimo ndërkohë ishte provinciali i Provincës së Romës. Një ditë më pas është zgjedhur edhe Vikari gjeneral fra Isauro Ulises Covili Linfati, i cili ishte provinciali i Provincës së Shpirtit Shenjt në Kili.
Pastaj më 16 korrik është bërë përzgjedhja e anëtarëve të Definitorit gjeneral. Ata janë: fra Viktor Quematcha, fra John Wong, fra Jimmy Zammit, fra Albert Schmucki, fra Cesare Vaiani, fra Konrad Cholewa, fra Joaquin Excheverry dhe fra Cesar Kulkamp. Po atë ditë të gjithë pjesëmarrësit janë bashkuar në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran ku kanë lutur Mbrëmësoren, të udhëhequr nga Vikari i ri. Në fund kremtimi eukaristik i mbylljes së Kapitullit me udhëheqës fra Massimo-n ka qenë një kremtim falënderimi, vëllazërie dhe shprese.