E kremtja e Shën Françeskut

Një veçori që duhet ta karakterizojë gjithmonë të krishterin është të qenurit i lumtur. Arsyet që i japin kuptim lumturisë sonë janë të shumta, ku ia vlen të përmendim dhuratën e jetës, Ligjin e Dashurisë, shpëtimin nga Jezu Krishti dhe ngushëllimin e Shpirtit Shenjt. Pjesa më e madhe e njerëzve pajtohen me arsyet e sapopërmendura, por kur bëhet fjalë për përballimin e vuajtjeve apo vdekjes themelet tona mund të lëkunden, sepse gjendemi përballë disa episodeve ekzistenciale që përshkojnë jetën e secilit. Tani si duhet të sillemi para këtyre ngjarjeve që janë të pashmangshme në historinë tonë? Përgjigje të shumta na vijnë nga filozofët, të cilët propozojnë shmangien dhe mospërfilljen e këtyre situatave, ndërsa të tjerë na ofrojnë një ndryshim mendësie rreth konsiderimit të tyre, gjë e cila shpeshherë vetëm e komplikon më shumë situatën. Një përgjigje na vjen edhe nga shën Françesku, i cili në fundin e jetës së tij e quan vdekjen motër, pasi ajo është vetëm një kalim nga jeta tokësore në atë qiellore, e ky fakt duhet të na bëjë të lumtur, siç thamë në fillim. Kjo risi si dhe shumë të tjera na vijnë nga shën Françesku, i cili me plot të drejtë e meriton të quhet “Alter Christus”, e kjo jo për mençuri apo inteligjencë të madhe, por vetëm për dorëzim të plotë në duart e Krishtit. Françesku është nisur me një qëllim dhe i ka qëndruar besnik deri në fund të fundit.

 

Ashtu siç jeta e shumë shenjtërve edhe ajo e shën Françeskut ka kaluar përmes shumë peripecive, të cilat ka ditur t’i përballojë shumë mirë me ndihmën e atij Lajmi të Gëzueshëm, të cilit i ka kushtuar tërë jetën e tij. E kremtja e shën Françeskut festohet nga shumë njerëz në mbarë botën duke përfshirë fretërit e Urdhrit të parë, motrat klarise të Urdhrit të dytë, terciarët dhe të kushtuarit e Urdhrit të tretë si dhe miq e dashamirës të shumtë të tij. Festa e tij kremtohet në forma dhe mënyra të ndryshme në varësi edhe të riteve të veçanta që mund të organizohen në secilin vend. Në Shqipëri, ku fretërit kanë një prezencë më se 800 vjeçare, e kremtja e Françeskut shtrihet në dy ditë, ndër të cilat me datën 3 tetor kremtohet kalimi i amshim i Françeskut, ndërsa me datën 4 tetor festohet e kremtja e tij.

 

Kalimi në amshim i shën Françeskut festohet në kisha të ndryshme françeskane si: kisha e Zojës Nunciatë në Lezhë, kisha e Shna Ndout në Tiranë etj., por mbi të gjitha në kishën kushtuar vetë këtij shenjti e cila gjendet në Gjuhadol, pranë së cilës gjendet edhe kuvendi i famshëm françeskan në të cilin kanë jetuar dhe ushtruar veprimtarinë e tyre pasardhës të denjë të shën Françeskut. Liturgjia e kalimit të shën Françeskut, e kremtuar më 03 tetor 2022, e cila njihet ndryshe si Transitus, konsiston në tri momente kryesore: lutja në kishën e Shën Françeskut, procesioni me truporen e shën Françeskut dhe përfundimi i lutjes në manastirin e motrave klarise.

 

Transitus në kishën e Shën Françeskut ka filluar me procesionin hyrës, gjatë së cilit të gjithë fretërit me asamblenë kanë kënduar këngën “Salve Sancte Pater”. Sapo fretërit janë sistemuar në pjesën e selisë dhe të korit, ka ndjekur leximi i letrës së frat Elisë drejtuar të gjitha provincave të Urdhrit për vdekjen e shën Françeskut. Pastaj ka filluar Mbrëmësorja e udhëhequr nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj. Para lutjes së Himnit ka zënë vend liturgjia e Dritës, e cila është përcjellë me këngën “O Dritë Rrezatuese”. Pastaj ka ndjekur Mbrëmësorja e Parë e kalimit të Shën Françeskut, e cila përmes shoqërimit të tingujve të organos dhe fjalëve kuptimplota të psalmeve e leximeve të posaçme ka krijuar në moment të vërtetë lutjeje. Me të përfunduar Leximi i Shkurtër janë lexuar nga Burimet Françeskane fjalët dhe veprat e fundit të shën Françeskut para vdekjes, moment i cili është pasuar nga procesioni me truporen e shën Françeskut, tashmë i kthyer në një traditë të përvitshme. Procesioni për te klariset nuk është i rastësishëm, përkundrazi ka një domethënie mjaft të veçantë, e cila është ruajtur e tillë brez pas brezi. Procesioni përkujton momentin kur trupi i Atit Serafik përcillet deri në manastirin e parë të motrave klarise, të cilat i japin përshëndetjen e fundit themeluesit të tyre.

 

Me të mbërritur te motrat klarise, ndjek një lexim tjetër nga Burimet françeskane, i cili i lëshon vendin meditimit të shkurtër të mbajtur nga fra Pashkoja. Pastaj në mbyllje të Mbrëmësores është bërë edhe bekimi i bukëve, të cilat u janë shpërndarë të gjithë të pranishmëve. Gjatë këtij momenti nuk kanë munguar edhe përshëndetjet dhe urimet mes njëri-tjetrit.

 

Më 04 tetor në kishën e Shën Françeskut janë kremtuar dy meshë: në orën 07:00 dhe në orën 18:00. Në mëngjes mesha është udhëhequr nga fra Nuncio Catania, ndërsa mesha kryesore pasdite nga ipeshkvi i Sapës imzot Simon Kulli, i cili në fjalën e tij duke përshkruar jetën e shën Françeskut ftoi që të ndjekim shembullin e tij në mënyrë që të rindërtojmë dhe ripërtërijmë Kishën siç ka bërë ai. Bashkëkremtues ishte provinciali fra Pashko Gojçaj, vikari i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult dom Nikolin Toma, vikari i Dioqezës së Rrëshenit dom Genc Çupi, vikari provincial i Provincës fra Aurel Gjerkaj, vikari i Arqipeshkvisë së Tivarit dhe moderatori i studimeve në Institutin filozofiko-teologjik dom Simo Luliq, rektori i kishës së Shën Françeskut fra Gazmend Tinaj si dhe shumë meshtarë të tjerë rregulltarë, por jo vetëm. Në fund të meshës fra Gazmendi i uroi krejt familjes françeskane festën e Shën Françeskut si dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre. Pas meshës u organizua darka vëllazërore në oborrin e kuvendit të Shën Françeskut.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku