Dekoratë për famullinë e Shën Mhillit

Vendi ynë kohët e fundit është përballur me dy situata të vështira. Në nëntor të vitit të kaluar një tërmet i fortë goditi Shqipërinë duke shkaktuar shumë dëme materiale dhe disa humbje jetësh. Pastaj në muajin mars të këtij viti edhe vendi ynë u prek nga virusi Covid-19, i cili gjithashtu nuk pati efekte të mira në të gjitha fushat e jetës sonë. Gjatë kësaj kohe shumë persona kanë pasur humbje njerëzore, financiare, por mbi të gjitha shpirtërore. Ndërkohë të tjerë janë vendosur plotësisht në shërbimin e atyre që kanë nevojë për ndihmë. Dhe ndër të tjerë një kontribut jo të vogël ka dhënë edhe Kisha katolike, e cila ka qenë e gatshme për t’i ndihmuar të tjerët qoftë nga ana ekonomike qoftë nga ajo shpirtërore. Një ndër famullitë që ka spikatur për zemërgjerësinë e saj në ndihmë të të tjerëve është ajo e Shën Mhillit në Laç, duke ditur që kjo famulli është një ndër famullitë më të dëmtuara nga tërmeti që ka goditur Shqipërinë vitin e kaluar. Në këtë famulli shërbejnë dy vëllezër françeskanë: famullitari fra Ndue Toplana dhe zëvendësi i tij fra Sokol Pepushaj. Si pas tërmetit ashtu edhe gjatë pandemisë kjo famulli ka hapur dyert e saj për të pritur ata që kishin nevojë për mbështetje dhe këtë gjë ajo e ka realizuar nëpërmjet shpërndarjes së ushqimeve, çadrës për të prekurit nga tërmeti dhe mensës për nevojtarët.

 

Dhe pikërisht për angazhimin dhe shërbimin e saj të palodhshëm kjo famulli ka marrë Dekoratën “Nënë Tereza” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, me motivacionin: “Në vlerësim dhe me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributin humanitar, material dhe shpirtëror të dhënë në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si shembull i solidaritetit dhe mirësisë njerëzore dhe fetare”.

 

Në fillim Presidenti mori pjesë në meshën solemne të kremtuar më 07 qershor 2020 nga arqipeshkvi i Arqidioqezës Tiranë-Durrës, imzot George Frendo. Të pranishme ishin edhe disa autoritete të larta kishtare dhe shtetërore si Nunci apostolik imzot Charles John Brown, Provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj dhe kryetarja e Bashkisë së Kurbinit Majlinda Cara. Gjithashtu morën pjesë edhe disa fretër të Provincës Françeskane Shqiptare, motrat “Bijat e Dashurisë Hyjnore”, dom Arjan Dodaj dhe shumë besimtarë të kësaj famullie. Pas meshës në oborrin përballë kishës z. Ilir Meta i dorëzoi Dekoratën “Nënë Tereza” famullitarit të kishës së Shën Mhillit, fra Ndue Toplanës. Pastaj Presidenti falënderoi fretërit, motrat, vullnetarët dhe bamirësit, që kanë ndihmuar gjatë tërë kësaj kohe me shërbimin e tyre të pandërprerë dhe me përkushtim kaq të madh.

 

“Misioni i famullisë shqiptare bazohet mbi karakteristikat themelore: ato ungjillëzuese; misionare; ekumenike dhe ndërfetare. Famullia e Shën Mhillit në Laç jo vetëm që e ka kryer më së miri këtë mision, por edhe i ka shërbyer shpirtërisht dhe fizikisht komunitetit përmes Ungjillizimit Social, duke dhënë edhe një kontribut të jashtëzakonshëm humanitar dhe material, siç u dëshmua edhe së fundmi me ndihmën e dhënë ndaj familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, dhe gjatë pandemisë së COVID-19.”  – theksoi Presidenti.

 

Presidenti gjithashtu u shpreh që ndihma që ka dhënë kjo famulli nuk ka qenë vetëm materiale ose financiare, por mbi të gjitha ka qenë një ndihmë shpirtërore për të kaluar këto situata të vështira me të cilat jemi ndeshur së fundi. Gjithashtu kjo ka qenë edhe një thirrje që të gjithë të ndërgjegjësohemi që duhet t’i ndihmojmë ata që janë në vështirësi me aq sa kemi mundësi sipas dhuratave dhe të mirave që Zoti na ka dhënë secilit.

 

Përgatiti: fra Lorenc Pepniku