Memoriali i shën Françeskut

Viti 2019 është një vit mjaft i rëndësishëm për familjen françeskane në Shqipëri, sepse shënon 800-vjetorin e pranisë së tyre në mesin e shqiptarëve. Mendohet se vendosja e fretërve në Shqipëri zë fill  në vitin 1219, me kthimin e shën Françeskut nga Egjipti. Ai u ndal në qytetin e Lezhës dhe formoi aty bashkësinë e parë françeskane në Shqipëri. Kjo bashkësi nuk vonoi dhe u përhap mjaft shpejt në të gjithë territorin shqiptar.

 

Gjatë këtij viti janë organizuar shumë takime, konferenca, si dhe aktivitete të ndryshme, të cilat lidhen me këtë vit jubile. Ndër më të spikaturat ishin takimet e bëra në Gjuhadol, Lezhë e Tiranë. Ndërsa aktiviteti më i fundit u zhvillua në qytetin e Lezhës, më 15 dhjetor 2019.

 

Bashkësia e fretërve në Lezhë kishte përgatitur një memorial të bronztë, në të cilin pasqyrohet kalimi i shën Françeskut nëpër këtë qytet. Në pllakën e bronztë tregohet shën Françesku me një shkop në dorë duke kaluar pranë kishës së Zojës Nunciatë. Në pllakë gjendet edhe kalaja e Lezhës në një kodër aty pranë. Gjithashtu dallohet edhe një anije në det, me të cilën shën Françesku kishte zbarkuar në territorin shqiptar. Ky memorial është ndërtuar nga skulptori z. Pjerin Kolnikaj. 

 

 

Përurimin e këtij memoriali e bëri ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës, mons. Ottavio Vitale. Riti i bekimit të memorialit filloi menjëherë pas meshës së orës 11:00 në kishën e Zojës Nunciatë. Pas meshës, meshtarët me shërbestarët, të ndjekur nga populli, dolën me procesion deri në oborrin përballë kishës, fare pranë hyrjes për në kuvendin e Zojës Nunciatë. Mons. Ottavio foli mbi madhështinë e shën Françeskut të Asizit, i cili duhet të jetë një shembull për jetën tonë. Ndërkaq fra Vitor Demaj dhe fra Marko Ešegović zbuluan memorialin që deri në atë moment kishte qenë i mbuluar. Pas një lutjeje të shkurtër ipeshkvi kemosi memorialin e vendosur në hyrje të kuvendit. Të pranishëm ishin edhe shumë besimtarë të famullisë, të cilët janë gjithmonë prezent në aktivitetet e ndryshme që organizohen në famulli.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku