Muzeu i kultures françeskane

Prezantimi i projektit të muzeut kulturor françeskan

Gjuhadol- Shkodër, 11 prill 2019. Në pranin e Nuncit Apostolik në Shqipëri Sh. T. Mons. Charles John Brown, Ministrës së Kulturës Znj. Elva Margariti, Arqipeshkvit të Shkodër Pult mons. Angelo Massafra, ambasador dhe përfaqësues të ambasadave në Republikën e Shqipërisë, kryetares së Bashkisë së Shkodrës Znj. Voltana Ademi, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme, autoriteteve fetare dhe shumë miqve të Provincës Françeskane Shqiptare, u bë Lancimi publik i projektit të Muzeut të Kulturës Françeskane në Shkodër.

 

Ky eveniment planifikohej të mbahej në hapësirën ku pritët të ngritët muzeu, por për shkak të kohës dobët atmosferike u mbajt në Kishën e shën Françeskut në Gjuhadol.

 

Hapjen e këtij evenimenti e bëri At Aurel Gjerkaj OFM, ministër provincial i Provincës Françeskane Shqiptare, ku njëherë edhe përshëndeti të pranishmit.

 

Nën dirigjimin e prof. Zef Çoba u këndua “Hymni i Flamurit” nga At Gjergj Fishta që e kënduan Kori “At Martin Gjoka” i kishës së Shën Françeskut në Gjuhadol, për të vazhduar më pas me fjalën përshëndetëse të Nuncit apostolik Mons. Charles Brown dhe Ministres së kulturës Znj. Elva Margariti.

 

Për etapat historike të pranisë françeskane në Shqipëri foli At Flavio Cavallini OFM, kurse  Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare Prof. Persida Asllani, paraqiti rrëfimin muzeor të kontributit kulturor të françeskanëve shqiptarë.

 

Gjatë programit ishte Kori “At Martin Gjoka” që paraqiti këngët si “Ruaje Zot Atdheun e Prijsin”, nga At Gjergj Fishta, “Martirët”, “Ave Maria” dhe “Atdheu ne na fton”, por nuk munguan as interpretime të poezive nga At Gjergj Fishta e At Shtjefën Gjeçovi që u interpretuan nga anëtaret e Shoqnisë Illyricum.

 

Për vendimin e kapitullit provincial/kustodial 2018, për ngritjen e Muzeut të Kulturës Françeskane në Shkodër si dhe për fillimin e  fundraising dhe e ardhmja e muzeut françeskan u paraqit nga Fra Sergio Gazzea OFM, kurse  paraqitja e projekt-idesë së muzeut “Muzeu i Kulturës Françeskane” u bë nga Arkitekti Gjon Radovani.

 

Pjesë e këtij evenimenti ishte edhe Nënshkrimi i kontratës së dhurimit të veprave të piktorit Lin Delija nga “Art Union Albania” tek “Muzeu i Kulturës Françeskane” nënshkrimi u bë nga At Aurel Gjerkaj OFM, ministër provincial dhe  arch. Gjon Radovani, kryetar i Art Union Albania.

 

Mbi jetën, veprat dhe rikrijimin e botës në art të piktorit Lin Delija foli profesori i Universiteti Urbanian në Romë, Prof. Ardian Ndreca.

 

Pas konference u bë vizitë ekspozitës të veprave të Lin Delisë që ishin të ekspozuara para Kuvendit Françeskan në Gjuhadol, ku një heri ishte shtruar edhe një koktej për gjithë pjesëmarrësit e këtij evenimenti.