Përkujtimi i Át Gjergj Fishtës në 80-vjetorin e kalimit në amshim

Të dielën, më 27 dhjetor 2020, në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, në Shkodër, u përkujtua Át Gjergj Fishta në 80-vjetorin e kalimit në amshim.

 

Në orën 17:00 u kremtua mesha e shenjtë kushtuar Fishtës, të cilën e drejtoi Át Aleksandër Tanushi, guardian i Kuvendit françeskan në Gjuhadol, ndërsa menjëherë pas meshe anëtarët e shoqnisë “Illyricum” miq të shën Françeskut interpretuan vargje nga veprat e Fishtës nën titullin “FJÁLË TË THÁNUNÀ PËR... SOT”.

 

Programi filloi me leximin e lajmërimit që Át Çiprian Nika, provincial në atë kohë, ua pati dërguar të gjithë fretërve të provincës për vdekjen e Át Gjergj Fishtës.

 

Pastaj nën regjinë e Paulin Ujkës, gjatë shfaqjes u ekzekutuan pjesë nga veprat kolosale të Fishtës, të cilat erdhën në formën e aktrimit dhe këndimit.

 

Ndër pjesët më të spikatura ishin: “O ju male”, “Na jena bijt e nji fisi t’përmendun”, “I dëbuemi”, “Skanderbegu nen hajat t’Parrizit”, “Atdheut”, “Derisa mbi kobe t’shekullit”, “Gjuha e mësimit”, “O i bukuri i qiellve” e të tjera.

Në këtë shfaqje performuan aktorët: Tomazin Delija, Nikolin Ferketa, Zef Ndoja, Mateo Guga, Krtistian Ndoja e Paulin Ujka. Ndërsa nën dirigjimin e Lukë Mllugja kënduan Kori “Illyricum”, dhe solistët Fation Tanazi, Gerald Lazri, me përcjellje në piano nga Gjon Shllaku dhe trombë Rudolf Çeklijaj.

 

Pas përshëndetjes nga asistenti i Shoqërisë “Illyricum” Át Aleksander Tanushi, u vendos flamuri kombëtar tek varri i Fishtës në shenjë nderimi. E në fund kori Illyricum së bashku me krejt të pranishmit kënduan himnin e flamurit nga Át Gjergj Fishta  “Porsi fleta Ejllit t’Zotit”.

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Studio Nënshati