Kushtimi i përjetshëm rregulltar

Kushtet për jetën e një personi rregulltar janë shumë të rëndësishme pasi e shoqërojnë atë gjatë krejt jetës së tij. Kushtet rregulltare për fretërit minorë janë dëgjesa, varfëria dhe pastërtia. Këto kushte, të cilat janë si një lloj esence e nxjerrë nga Ungjilli, merren fillimisht pas përfundimit të vitit të noviciatit. Më pas këto kushte ripërtërihen për disa vite me radhë derisa më vonë bëhen për tërë jetën.

 

Më 08 dhjetor 2020, në festën e Zojës së Papërlyer, kanë bërë kushtet e përjetshme fra Valentin Tinaj nga Vermoshi dhe fra Kristjan Camaj nga Tuzi. Mesha, e kremtuar në orën 11:00 në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, është udhëhequr nga kustodi i porsazgjedhur fra Pashko Gojçaj. Bashkëkremtues kanë qenë meshtarë rregulltarë e dioqezanë nga Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi. Të pranishëm ishin rregulltarë e rregulltare të kongregatave të ndryshme si dhe familjet e të dy fretërve.

 

Gjatë predikimit fra Pashkoja ndër të tjera theksoi vlerën dhe rëndësinë e kushteve që fretërit kanë bërë. Riti i kushtimit të përjetshëm është bërë menjëherë pas predikimit. Në fund të tij fretërit janë përshëndetur me kustodin, meshtarët, shërbestarët dhe familjet e tyre. Më pas mesha ka vazhduar si rregullisht. Në fund të meshës ka përshëndetur fra Valentin Tinaj dhe fra Aleksandër Tanushi. Pas meshës ishte organizuar një koktej i thjeshtë në ambientet e teatrit “Illyricum”. Po në këtë ditë gjatë Orës së Mesme fra Anton Gilaj ka ripërtërirë kushtet e përkohshme në kapelën e Martirëve.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Nënshati