Kushtet e para të fra Antonit

Në ditën e parë të Nëntëditëshit të Krishtlindjeve, më 17 dhjetor 2019, fra Anton Gilaj, novici shqiptar nga Kopliku, ka marrë kushtet e para ose siç quhen ndryshe kushtet e përkohshme. Ai ka nisur noviciatin në dhjetor të vitit të kaluar dhe e ka përfunduar në dhjetor të këtij viti, kjo pasi në shumë provinca noviciati zgjat një vit. Kushtet e para kanë një rëndësi shumë të madhe, sepse ftojnë fratin që i merr ato të jetojë një vit në pastërti, dëgjesë dhe varfëri më të madhe dhe më të plotë sipas shembullit të Jezu Krishtit, e në të njëjtën kohë edhe të Atit tonë serafik, shën Françeskut, duke ditur që shën Françesku ishte imitues i përsosur i Krishit.

 

Riti i marrjes së kushteve të para u zhvillua në kishën françeskane “Santa Maria Occorrevole” në Piedimonte Matese – Itali, ku fra Antoni ka kryer vitin e noviciatit. Riti u zhvillua në orën 12:00, gjatë Orës së Mesme. Udhëheqësi ishte provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, fra Aurel Gjerkaj, i cili në fjalën e tij e nxiti fra Antonin që të ripërtërijë çdo ditë kushtimin e tij Zotit duke jetuar në dashuri dhe harmoni me fretërit kudo që dëgjesa ta dërgojë. E nxiti që të mbajë kushtet me besnikëri si e vetmja rrugë e sigurt drejt shëlbimit.

 

Prezentë ishin edhe provincialët e provincave françeskane të Jugut të Italisë: fra Carlo D’Amodio, ministër provincial i Napolit; fra Alessandro Mastromatteo, ministër provincial i Puglia-Molise; fra Antonio Tremigliozzi, ministër provincial i Beneventos; fra Paolo Quaranta, ministër provincial i Leçes; fra Mario Chiarello, ministër provincial i Kalabrisë; fra Giuseppe Iandiorio, ministër provincial i Salernos, si dhe fretërit e bashkësisë me të cilët fra Antoni ka jetuar: fra Gennaro Russo, guardian; fra Massimo Tunno, mësues i noviciatit; fra Pacifico Angrisani dhe fra Teofilo Iasenza. Për të marrë pjesë në rit kishin ardhur edhe fretërit, shokët e tij të noviciatit së bashku me besimtarë e miq të fretërve.

 

Fra Antoni do të transferohet në kuvendit e Bitetos në Bari të Italisë ku do të vazhdojë formimin e pas-noviciatit. Studimet e teologjisë do t’i ndjekë në Bari.

 

I urojmë fra Antonit një ecje sa më të mirë në shenjtëri!