Kushtimi i përkohshëm rregulltar

Formimi i një rregulltari kalon nëpër disa faza të ndryshme. Në kongregata dhe urdhra të ndryshëm ky formim ka të veçantat e veta. Te fretërit minorë një hap mjaft i rëndësishëm për të gjithë ata që e ndjekin këtë rrugë është bërja e kushteve rregulltare ose kushtimi rregulltar. Ky hap vjen pas një viti prove që quhet “noviciat”, gjatë të cilit kandidati shqyrton gjithmonë e më shumë thirrjen e tij në jetën e kushtuar Zotit.

 

Pikërisht përmes këtij kushtimi dy novicët, fra Gjergj Deda dhe fra Lorenc Pepniku, kanë zgjedhur të vazhdojnë më tej udhën e tyre në ndjekje të Jezu Krishtit sipas shembullit të shën Françeskut të Asizit, duke jetuar kështu për një vit në dëgjesë, pastërti dhe varfëri. Mesha e kushtimit të përkohshëm rregulltar u kremtua ditën e martë, më 08 shtator 2020, në kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë.

 

Mesha e bërjes së kushteve, e udhëhequr nga provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj, u kremtua në orën 11:00. Në këtë meshë paralelisht u festua festa e Lindjes së Zojës (Zoja e Vogël) dhe kushtimi i dy fretërve të rinj. Bashkëkremtues ishte asistenti i Ministrit Gjeneral OFM në Shqipëri fra Lovro Gavran, guardiani i kuvendit të Zojës Nunciatë fra Vitor Demaj, zëvendës famullitari i katedrales së Shën Nikollës në Lezhë dom Ariel Hidalgo Torres si dhe shumë fretër të tjerë nga e gjithë Provinca. Të pranishëm në këtë meshë ishin shumë besimtarë të famullisë, rregulltare françeskane si dhe ca anëtarë të familjeve të fra Gjergjit dhe fra Lorencit. Ungjillin e lexoi fra Lovroja, ndërsa homelinë e bëri fra Aureli. Në fjalën e tij ai dha disa këshilla rreth ecjes sonë të përditshme, e cila duhet të karakterizohet mbi të gjitha nga qëndrueshmëria dhe sinqeriteti.

 

Riti i kushtimit është bërë gjatë meshës. Ai ka qenë i ndarë në dy pjesë, ku fillimisht pas leximit të ungjillit është bërë “thirrja” e kandidatëve (novicëve) për t’u paraqitur para vëllazërisë dhe krejt bashkësisë së besimtarëve, e më pas është bërë edhe leximi i formulës së kushtimit rregulltar në duart e provincialit të lartpërmendur. Në fund fra Lorenci dhe fra Gjergji kanë përmbyllur Liturgjinë e Fjalës me Lutjet e besimtarëve.

 

Gjithashtu në fund të meshës nuk kanë munguar as urimet dhe falënderimet qoftë nga ana e fra Aurelit qoftë edhe nga ana e fra Vitorit. Pas meshës besimtarët e famullisë përshëndetën dhe uruan dy fretërit e rinj të kësaj Province.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Fra Tomë Bushpreni