Kushtet e para dhe Veshja e zhgunit françeskan

Të shtunën, më 8 shtator 2018, në festën e Lindjes së Zojës, në kishën e Zojës Nunciatë në Lezhë, ishte festë e veçantë për Provincën Françeskane Shqiptare.

 

Mesha e kësaj feste u kremtua në ora 17.00 të cilën e drejtoi provinciali fra Aurel Gjerkaj, e të pranishëm ishin gati të gjithë fretnit nga Shqipëria, Mali Zi e Kosova.

 

Këtë ditë, pas një viti në Noviciat në Lezhë, fra Sergjo Jaku nga famullia e shën Shtjefnit në Shkodër bëri kushtet e para françeskane. Po ashtu gjatë kësaj meshe e veshën zhgunin françeskan dhe filluan vitin e Noviciatit tre kandidat: fra Anton Selitaj nga famullia e shën Gjon Pagëzuesit në Zllakuqan (Kosovë), fra Tome Bushpreni nga famullia e shën Domenikut në Durrës dhe fra Kolë Thaqi nga famullia e shna Ndout në Gllogjan (Kosovë). Fra Kola është meshtar nga dioqeza e Kosovës i cili gjatë gjithë jetës meshtarakë ishte i afërt me jetën françeskane e posaçërisht që disa vite edhe pjesë e Urdhërit Françeskan Shekullar në Gjakovë.

 

Në këtë meshë ishte i pranishëm edhe frati ynë, Mons. Hil Kabashi i cili në fund të meshës edhe e ndau bekimin apostolik të gjithë fretënve dhe besimtarëve të pranishëm.