Islami dhe krishterimi mes historisë dhe perspektivave

Vazhdojnë aktivitetet në kuadër të 800-vjetorit të françeskanëve në mes të shqiptarëve. Kësaj radhe u organizua një takim i përbashkët mes komuniteteve fetare në Shqipëri, në të cilin u trajtuan disa kumtesa mbi dialogun ndërfetar, i cili zë fill që në vitin 1219, kur shën Françesku zhvilloi një takim me sulltanin Melek-el-Kemal. Pikërisht në rrugën e kthimit nga ky takim mendohet se shën Françesku kaloi nëpër territoret shqiptare (Lezhë) dhe themeloi aty bashkësinë e parë të fretërve françeskanë.

 

Takimi u mbajt më 23 nëntor 2019 në “Aulën Magna” të Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Ky takim filloi në orën 10:30 dhe u hap nga moderatori fra Gazmend Tinaj, i cili tregoi shkurtimisht përmbajtjen e këtij takimi si dhe falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre. Në këtë takim ishin edhe disa nga autoritetet e larta fetare dhe arsimore në Shqipëri: mons. George Frendo, arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës dhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore në Shqipëri, mons. Angelo Massafra, arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Shkodër-Pult, mons. Charles John Brown, nunci apostolik në Shqipëri, provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, fra Aurel Gjerkaj, znj. Loreta Aliko, kryetarja e Komitetit Shtetëror për Kultet, Hirësia e Tij Asti Bakallbashi, episkopi i Bylisit, Dervish Sali Peti, përfaqësuesi i Kryegjyshit Botëror të bektashianëve, sheh Hysen Hormova, kryetar i Tarikatit Halveti, sheh Bujar Harasani kryetar i Tarikatit Kadri dhe sheh Hasan Selimi, përfaqësues i Tarikatit Sadi. Menjëherë pas fra Gazmendit vazhdoi kori, i cili nën udhëheqjen e fra Luigi Aluisi ekzekutoi këngën “Lavdi të Tejetlartit” të mons. Marko Frisinës. Më pas vijoi fra Aureli me përshëndetjen, i cili u ndoq nga mons. George, ku ky i fundit e vuri theksin tek bashkëpunimi ndërfetar, i cili duhet të njihet si “harmoni fetare” dhe jo “tolerancë fetare”, siç e cilësojnë shumë persona sot.

 

Pastaj vazhdoi me kumtesën e tij don Valentino Cottini, prift dioqezan i Dioqezës së Veronës (Itali), i cili është docent i rregullt pranë Pontificio Istituto di Studi Arabi e d’Islamistica. Pas tij vijoi myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, i cili u ndjek nga z. Dhimitër Qosja, pedagog në Fakultetin e Shkencave Humane në Kolegjin Universitar “Logos”, departamenti i “Teologjisë dhe Kulturës”.

 

Në fund të të gjitha kumtesave të pranishmëve iu dha mundësia t’i drejtonin pyetje anëtarëve të panelit. Pas pyetjeve kori ekzekutoi këngën “Kënga e Krijesave” të shën Françeskut, e cila shënoi edhe mbylljen e këtij takimi. Në fund dhe një herë fra Gazmendi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe ata që janë angazhuar në mundësimin e këtij takimi, sidomos fra Landi Jaku, i cili është delegati i Provincës Françeskane Shqiptare për Ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Fra Lorenc Pepniku, dom Martin Jaku, fra Aurel Gjerkaj