Misioni kryesor i Kishës është ungjillizimi: të shpallë, të kremtojë dhe të dëshmojë dashurinë e Hyjit nëpërmjet Krishtit. Edhe në ato vende që është shpallë ungjilli fretërit shkojnë për të mbajtur gjallë zellin e fesë së dhuruar.
Si është bërë traditë, tash sa kohë, edhe ketë vit në datën 5 korrik deri në datën 11 korrik 2026 u organizua misioni veror nga famullitari i famullisë së Shën Gjergjit në Iballë e njëkohësisht Provinciali i Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” në Shqipëri e Mal të Zi, Patër Pashko Gojçaj, O.F.M.. Në ndihmë të misionit ishin Patër Tomë Bushpreni, O.F.M., dy klerikë studentë fra Gjergj Deda, O.F.M. e fra Kreshnik Marku, O.F.M. si edhe dy motra të Kongregatës së Nanës Terezë të Kalkutës, misionare të dashurisë, Motër Gjergji Maria dhe motër Miriam.
Fretërit së bashku me motrat e Nanës Terezë përshkuan të gjithë famullinë që është e përhapur prej fshatit të Iballës e deri në krejt zonën malore të Berishës: Shopel, Katund Kishë, Papë, Ludricë, Levoshë, Qyqesh, Valsh dhe Mërturi i Gurit, duke kremtuar Meshën e Shenjte, ndarjen e sakramenteve, mësim feje si dhe bekimet e shtëpive. Duke ju qëndruar afër besimtarëve, kështu u bë e mundur që sadopak të sjellim një rreze drite të dashurisë së Krishtit në vendet që janë larg dhe të vetmuara.
Misioni përfundoi me Meshën e Shenjte ditën e shtunë në orën 12:00, në kishën famullitare në lagjen e Kopratit. Patër Pashko Gojçaj në fund të Meshës i falënderoi të gjithë për kryerjen e misionit e ju dha nxitje që të kenë shpresë në Krishtin, sidomos atyre besimtarëve që janë larg e të vetmuar.
Teksti: Fr. Tome Bushpreni O.F.M.