Treditëshi i Zojës Rruzare

Më 7 tetor Kisha katolike kremton festën e Zojës Rruzare. Për disa shekuj me radhë kjo festë është njohur si “Zoja e fitores”, për shkak të fitores së betejës së Lepantos të bërë kundër dyndjes osmane. Ditën e kësaj beteje iu bë ftesë krejt Evropës që të lutet rruzarja me qëllim që Virgjëra Mari të ndërmjetësonte për fitoren e betejës. Dhe kështu ndodhi. Papa shën Piu V ia atribuoi Marisë këtë fitore dhe shtoi në litanitë kushtuar asaj “Maria, ndihma e të krishterëve”.

 

Njëra prej dy famullive të qytetit të Shkodrës, e cila kishën famullitare e ka tek Arra e Madhe i kushtohet pikërisht Zojës Rruzare. Kremtimet në nder të Zojës kanë nisur me Treditëshin që ditën e martë, më 05 tetor 2021, me meshën e shenjtë të udhëhequr nga guardiani i kuvendit të Shën Françeskut në Gjuhadol fra Gazmend Tinaj, i cili është edhe ish-famullitari i kësaj famullie. Ditën e nesërme është organizuar procesioni nga kisha e Zojës Rruzare deri te shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë. Procesioni dhe më pas mesha e shenjtë në shenjtërore janë udhëhequr nga ipeshkvi ndihmës i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës imzot Arjan Dodaj. Bashkëkremtues ishte famullitari i famullisë “Zoja Rruzare” fra Aurel Gjerkaj dhe fra Kolë Thaqi. Ndonëse kushtet atmosferike nuk ishin shumë të përshtatshme, prapëseprapë besimtarë të shumtë i janë bashkuar procesionit drejt shenjtërores.

 

Ditën e festës, më 08 tetor 2021, mesha e shenjtë është kremtuar në kishën e Zojës Rruzare në orën 18:00. Udhëheqësi i këtij kremtimi eukaristik ishte famullitari i famullisë së Shën Shtjefnit në Shkodër dom Vlash Palaj, i cili gjatë predikimit ndër të tjera vuri theksin në dy eksponentë shumë të rëndësishëm siç janë lutja dhe Maria, të cilat nuk janë gjithçka, por nga ato fillon gjithçka. Bashkëkremtues ishin fretërit nga kuvendi i Shën Françeskut fra Gazmend Tinaj dhe fra Nunzio Catania, fra Aurel Gjerkaj, fra Kolë Thaqi dhe dom Gianni Fuccaro. Të pranishëm ishin fretërit me kushte të përkohshme të Provincës Françeskane Shqiptare, motra të kongregatave të ndryshme e besimtarë të shumtë të famullisë dhe jo vetëm. Kori me pianistin Rafael Marinaj ndihmoi në zbukurimin e kësaj liturgjie. Në fund fra Aureli falënderoi të gjithë të pranishmit për pjesëmarrjen dhe u uroi atyre festën e Zojës. Menjëherë pas meshës të gjithë u mblodhën para oborrit të kishës ku ishte organizuar një koktej nga bashkësia e Arrës së Madhe.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku

Fotot: Fra Jak Kolgjeraj