Mesha e falënderimit

Të dielën me 2 shtator 2018, në kishën e shën Françeskut në Gjuhadol në Shkodër, me pjesëmarrjen e shumë besimtarëve, të anëtareve të Urdhrit Françeskan Shekullar, klerikëve françeskan (studentëve), fra Vladimir Mamala, kremtoj meshën e falënderimit për 22 vite shërbimi në Shqipëri (1996 – 2018).

 

Në fund të meshës guardiani i Gjuhadolit fra Aleksandër Tanushi, në emër të Provincës Françeskane Shqiptare e në emër të besimtareve e falënderoj fra Vladimirin për shërbimin dhe dëshminë e tij 22 vjeçare në Shqipëri e popullin shqiptarë, e po ashtu i kërkoj që pas një pushimi të kthehet përsëri në Shqipëri. Por ishin duartrokitjet e besimtarëve të cilat i dhanë më se miri falënderim këtij frati i cili e predikoj Fjalën e Zotit në gjitha pjesët e Shqipërisë.

 

Fra Vladimiri, meshtar, françeskan, me kombësi Polake, është lindur në qytetin Nysa, afër Wroclawit në Poloni, më 30 dhjetor 1968. Pas shkollës së mesme hyri në Urdhrin françeskan dhe pasi e kreu teologjinë, u shugurua meshtar, më 3 qershor 1995.

 

Menjëherë dëshironte të vinte si misionar në Shqipëri, por – sipas rregullave – më së pari duhej që një kohë të shërbente në Poloni. Posa ishte e mundshme, në shtator 1996, erdhi në Shqipëri – më së pari në Kuvendin françeskan Gjuhadol, në Shkodër, e pastaj shërbeu në të gjitha kuvendet e Provincës Françeskane Shqiptare.

 

Ishte zëvendës famullitar në Bajzë, Rapshë, Hot, Laç, Tiranë dhe në Shkodër – tek Arra e Madhe. Bënte misione në: Burrel, Ulëz, Bushkash, Baz dhe Stojan; si edhe në Pult (Dushman, Toplanë, Nikaj-Mertur). Administronte famullitë e Kelmendit (Selcë, Vermosh dhe Vukël) dhe të Dukagjinit (Kir, Plan, Pog, Prekal), Bizën (në Kepin e Rodonit), Rubikun dhe Katundin e Vjetër, si edhe famullinë e Lezhës, me Shëngjin, Ishull Lezhë dhe Ishull Shëngjin. Si famullitar shërbente: dy vite tek Arra e Madhe, katër vite në Kelmend dhe më në fund tre vite nga Gjuhadoli shërbente Iballen dhe Berishën. Ishte guardian i Kuvendit françeskan tek Arra e Madhe në Shkodër dhe në Laç-Sebaste. Në tre mandate (9 vite), ishte Definitor i Provincës Françeskane Shqiptare. Ishte edukator i fretërve të rinj: si rektor në Seminarin e vogël, si mësues i postullantëve dhe si zëvendës mësues i klerikëve françeskanë. Shërbente edhe si Asistent nacional i Urdhrit Françeskan Shekullar për krejt Shqipërinë.

 

Pas 22 viteve shërbim në Shqipëri, kthehet në atdhe, e me mundësi një kohë do të shërbejë edhe në Tokën e Shenjtë.