ÁT VINÇENC MALAJ

 

NË 20-VJETORIN E VDEKJES 

Kanë kalue 20 vite nga kalimi në amshim të Át Vinçenc Malaj, françeskanit që la gjurmë të pashlyeshme si bari shpirtnor, por jo vetëm, por edhe në lamitë e kulturës dhe të artit. Së bashku me Át Daniel Gjeçaj në Romë, Át Jak Marlekaj në Bari, Át Paulin Margjokaj në Vien dhe Át Kol Berishaj në Tuz u banë trashiguesit e vetëm të françeskanve të mëdhaj, që në shtetin amë ishin mohue. Sivllaznit e tyne në Shqipni, vuashin në burgjet komuniste, ata në mërgim vazhduen të jenë gjithmonë pjesë e Provincës Françeskane Shqiptare dhe me dinjitet e trashiguen.

 

Të gjith ata që kanë pasë rast me njoft Át Vinçenc Malajn, me të drejtë pohojnë se ai ishte nji frat i ditun me nji kultur të gjanë në fushën e albanologjisë. Ishte njohës i mirë i gjuhës dhe letërsisë, historisë, arkeologjisë, mbledhës dhe studiues i folklorit, autor i shumë studimeve shkencore, poet, piktor, gdhendës i mirë në gurë, bibliofil etj.

Kush ishte Át Vinçenc Malaj?

Át Vinçenci lindi në Ljare, Komuna e Tivarit më 1 dhetor 1928, në nji familje me traditë shqiptare. Në pagëzim ia napin emnin Pjetër. Shkollën fillore e ndjek në vendlindje. Nën drejtimin e Át Angjelin Gaudio, në vjetin 1941, ndjen thirrjen rregulltare dhe famullitari e dërgon tek françeskant e Shkodrës, ku fillon Liceun Klasik. Në vjetin 1945 - 1946 kryen noviciatin në Troshan dhe merr emnin fra Vinçenc. Ky emen do ta shoqnojë gjithë jetën e tij si frymzim i fortë për thirrjen e tij. Këtë emen ia dha vet i lumi Vinçenc Prennushi. Siç tregonte vet Át Vinçenci: "Ishim në Troshan dhe mësuesi na tha që të zgjedhim emnin e ri rregulltar. Unë zgjodha emnin Lekë, mbasi kisha dishirë ta marr emnin e Át Lekë Lulit që e kishin vra, por mësuesi nuk më la sepse at emen e kishte marrë një tjetër. Ashtu siç isha i mërzitun, më afrohet mons. Vinçenc Prennushi dhe më pyeti pse isha i mërzitun. Mbasi ia tregova ngjarjen më tha: A të pëlqen emni em? Po - iu përgjegja. Më mori për doret, më çoi te mësuesi dhe i tha se ky tash e mrapa do mbajë emnin tem". Ky moment do ta shoqnojë gjith jetën e tij si françeskan.

Mbasi shteti komunist mbyll seminarin dhe konfiskon të gjitha pasunitë materiale, ai së bashku me Át Dedë Markolaj, Át Gjergj Marstjepaj dhe të tjerë, dëbohet nga Shqipnija në ish-Jugosllavinë e kohës. Kthehet në vendlindjen e tij në Ljare. Për nji vjet qëndrojnë pranë familjeve të tyne ku u ofrohen edhe poste si mësuesa por nuk pranojnë. Të ndihmuem prej Át Ejll Vjerdhës, i vetmi françeskan që kishte mbetë në Argjipeshkvninë e Tivarit, dërgohen në Provincës e Shën Jeronimit, Kroaci.

 

Át Vinçenci vazhdon gjimnazin klasik në Split, mandej në Pazin. Kryen nji vit Filozofije në Dubrovnik. Mbas shërbimit të detyruem ushtarak, vazhdon studimet  për Filozofi dhe Teologji në Zagreb ku edhe diplomohet. Më 1957 shugurohet meshtar dhe meshën e parë  e kremton në vendlindjen e tij në Ljare me 20.10.1957.

 

Prej vjetit 1957 deri më 1966 shërben në Kotor dhe Dubrovnik, si kapelan dhe kujdestar biblioteket. Më 1966 fillon studimet për Letërsi Italiane në Universitetin shtetnor La Sapinza të Romës. Gjatë kohës që ishte në Romë punon ngushtë me Institutin e Studimeve Shqiptare. I vjen në ndihmë prof. Ernest Koloqit në botimin e revistës Shêjzat - Le Pleiadi, ku edhe boton nji numër të madh artikujsh. Gjatë kohës së qëndrimit në Romë, gjurmon shumë biblioteka europiane, si në Romë, Venecia, Paris, Vjenë etj, tue mbledh materiale mbi albanologjinë. Nën drejtimin e prof. dr. Ernest Koliqit, mbledh tekste gojore të 31 vendeve shqiptare në Kalabri.

Më 20 mars 1973, mbron shkëqyeshëm tezën e dizertacionit "Kuvendi i Arbënit".

 

Mbas studimeve kthehet në Tuz (Malësi) ku emnohet kapelan. Gjatë qëndrimit në Tuz, përveç misionit baritor, vazhdon aktivitetin e tij intelektual. Themelon një biblotekë të pasun me materiale albanologjike. Boton në shumë revista dhe merr pjesë në shumë simpoziume shkencore.

 

Emnohet profesor në Fakultetin filozofiko-teologjik të Shkodrës, në degën e Historisë së Kishës në Shqipni.

 

Nji vit para se të kalonte në amshim, bashkon të gjitha punimet në dy volume të titullueme: TË DHANA ALBANALOGJIKE, FOLKLOR, BIBLOGRAFI, HISTORI. Po në të njajtin vit riboton në shqip “KUVENDI I ARBËNIT”, të përkthyem nga Tonin Zadeja. Bashkë me këto botime, do të nxjerrë në nji libër në vete disa prej skalitjeve në gurë dhe disa piktura që i kishte punue gjatë jetës së tij të titullueme: “NATURAE ET ARTIS OPUS. Malo priroda, malo ruka. Pak natyra, pak dora”. Në të njajtën kohë la në dorëshkrim shumë materiale që ishin drejt përfundimit dhe në mënyrë të veçantë poezitë e tij që i kishte meditue nji jetë të tanë të titullueme: “PAPËRDHOKË E GURË FAQOKË”.

 

Vdiq papritmas në Tuz më 4 shkurt 2000. Vdekja e papritun do i lanë shumë punë të papërfundueme, sidomos mbi historinë e Kishës dhe të Provincës Françeskane Shqiptare. Ai do të shprehej në poezinë e tij të fundit “LUTJE” më 01 janar 2000:

 

Fra Mirash Marinaj