Karizmat, profecia, nevojat e Kishës

Në datat 20, 21 dhe 22 shkurt 2020 në Shkodër dhe Tiranë u zhvilluan takimet formuese për të gjithë të kushtuarit e Kishës katolike shqiptare. Këto takime ishin të organizuara nga KSHEL (Këshilli shqiptar i eprorëve të lartë) kombëtar. Jeta e kushtuar ka qenë tema kryesore e këtyre takimeve, të cilën e shtjelloi mjaft mirë arqipeshkvi José Rodríguez Carballo, sekretari i CIVCSVA-së (Kongregatës për Institutet e Jetës së Shuguruar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike).

 

Në datat 20 dhe 21 shkurt, u zhvillua në Seminarin Ndërdioqezan "Zoja e Këshillit të Mirë" në Shkodër, takimi për eprorët dhe formatorët e familjeve rregulltare që shërbejnë në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi.

 

"SHKO, RINDËRTOJE SHTËPINË TIME" ka qenë titulli i këtij takimi, në të cilin  mons. Carballo ka prezantuar situatën e Jetës së kushtuar në mbarë botën: duke folur nga përvoja e tij, si ministër gjeneral i Urdhrit të fretërve minorë dhe tani si sekretar i CIVCSVA-së. Gjatë kësaj periudhe ai ka vërejtur problemet dhe vështirësitë me të cilat përballet Jeta e kushtuar, por njëkohësisht edhe gëzimin dhe lumturinë që Jeta e kushtuar ka në vetvete.

 

Në momentin e dytë, rregulltarët dhe rregulltaret, të mbledhur në disa grupe, kanë bashkëndarë mendimet dhe përvojat mbi Jetën e kushtuar në kontekstin shqiptar. Më pas u bë prezantimi i secilit grup dhe menjëherë pas prezantimit mons. Carballo shkurtimisht ka komentuar temat që u sollën nga grupet e ndryshme.

 

Me datën 22 shkurt 2020 u zhvillua takimi për të gjithë rregulltarët që veprojnë në territoret shqiptare. Në këtë takim është trajtuar në mënyrë të detajuar tema “Karizmat, profecia, nevojat e Kishës”, e cila është mjaft aktuale në ditët e sotme.

 

Takimi u mbajt në një nga sallat e Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë. Ai filloi në orën 09:30 me lutjen e Orës së Mesme, e cila u udhëhoq nga fra Aurel Gjerkaj. Në përfundim të lutjes të gjithë së bashku kënduan këngën e Zojës së Shkodrës. Takimi u moderua nga atë Artan Seli, kryetari i KSHEL-it, i cili në fillim të fjalës së tij përshëndeti të gjithë të pranishmit në sallë, veçanërisht Nuncin apostolik, mons. Charles John Brown, arqipeshkvin e Arqipeshkvisë së Shkodër-Pultit, mons. Angelo Massafrën si dhe mons. Carballo-n. Pastaj vijoi mons. Charles, i cili theksoi se rregulltarët janë një pjesë e rëndësishme e Kishës katolike në Shqipëri. Më pas vazhdoi mons. Carballo, i cili me anë të pikave kryesore trajtoi problemet e Kishës sot, dhe paralelisht me to dha edhe mundësitë e mënyrat se si Kisha mund t’i kapërcejë vështirësitë e ndryshme. Në fund të ligjërimit të tij u bë një pushim i shkurtër, dhe pas pushimit vijuan pyetjet e ndryshme të rregullarëve drejtuar mons. Carballo-s. Gjatë shpjegimit të pyetjeve mons. Carballo bëri edhe një përmbledhje të asaj që u trajtua gjatë takimit. Në fund fra Aureli falënderoi mons. Carballo-n për praninë e tij, dhe sidomos për këshillat e vyeshme që u dha të gjithë rregullarëve dhe rregulltareve.

 

Teksti: Fra Anton Selitaj

Fotot: Fra Lorenc Pepniku & fra Tomë Bushpreni