Njeriu që e tejkaloi kohën e vet

Rrallë kush në historinë e Kishës dhe të njerëzimit ka ndikuar aq shumë në ndërrimin e botëkuptimit të gjeneratave dhe të kombeve gjatë shekujve, sa shën Françesku i Asizit. Rrallë kush aq mirë e kuptoi dhe në jetë e zbatoi porosinë e Jezu Krishtit, sikur shën Françesku, të cilin për atë arsye admiruesit e tij e quajtën “Krishti i dytë”.

 

Atë Italia e zgjodhi për pajtorin e vet, kurse Papa Gjon Pali II e shpalli pajtor i ekologjisë – frymëzues i ruajtjes së natyrës së shëndoshë dhe të pastër. Ky shenjt i frymëzon edhe përpjekjet paqësore në për-masa botërore.

 

E kush ishte ky njeri i madh, i cili qe tetë shekuj gjithnjë e më tepër e tërheq pas vetes rininë dhe inteligjencën, të madh e të vogël në të katër anët e botës – pak a shumë do të na tregojë kjo librezë, e cila nuk pretendon tjetër, përveç që në pika sa më të shkurtra t’ia japë lexuesit shqiptar njohuri elementare për këtë personalitet aq të rëndësishëm, i cili – nëpërmjet vëllezërve të vet rregull-tarë – pati ndikim jashtëzakonisht të çmueshëm edhe në zhvillim historik, kombëtar dhe fetar të popullit shqiptar.

I biri ambicioz i tregtarit pasanik

Në vitin 1182, derisa Pietro Bernardone, tregtar pasanik stofash, ishte në udhëtim nëpër Francë, gruaja e tij Picca në Asiz të Italisë i lindi një djalë, të cilit në pagëzim ia ngjiti emrin Gjon. Kur babai u kthye nga udhëtimi – me siguri për simpati ndaj Francës, me të cilën pati marrëdhënie të suksesshme tregtare – ia dha djalit emrin Françesk.

 

Familja Bernardone ishte familje e pasur borgjeze – shtresë e mesme, në mes bujarëve dhe popullit të thjeshtë dhe të varfër. Borgjezët mundoheshin që me fuqinë e vet ekonomike ta fitojnë pozitën, push-tetin dhe titullin e bujarëve, që nuk i kishin trashëguar me lindje. Prandaj edhe Pietro dhe Picca përpiqeshin që edhe Françesku i tyre të bëhet tregtar pasanik dhe që të fitojë së paku titullin e kalorësit, që në atë kohë ishte nder i madh. Në këtë frymë edhe e edukonin djalin e vet.

 

Edhe vetë Françesku ishte bartës i botëkuptimit të tillë. Ishte djalë i gëzueshëm, i lumtur, simpatik, bujar, i dashur, gjithmonë me shoqëri të nivelit të vet – pa probleme të përditshme të njerëzve të varfër rreth tij.

 

Kur borgjezia e Asizit filloi luftën kundër bujarëve të vet, të cilët u mbështetën në bujarët perugjianë, edhe Françesku u nis në luftë kundër Perugjës (në vitin 1202). Ndërkaq, Perugja fitoi luftën dhe Françesku ra në burg. Mirëpo, nuk e humbi optimizmin dhe humorin. Mbeti i gëzueshëm, duke krijuar atmosferën e bukur edhe ndër shokë.

 

Pas një viti – për shkak të sëmundjes – e liruan prej burgut. U kthye në shtëpi dhe vazhdoi jetën e mëparshme, por gjithnjë e më tepër mendonte për kuptimin më të thellë të jetës së vet.

 

Për të fituar titullin e kalorësit, në vitin 1205, niset prapë në luftë kundër Pulies, por rrugës – në Spoleto – ra ndër ethe dhe mbeti atje i sëmurë. Plani i Zotit nuk përputhej me planet e tija!

 

Në Spoleto Françesku pati një vegim. Një zë prej së larti e pyeti: “Françesk, kush mund të të japë më shumë: zotëria, apo shërbëtori?” Françesku u përgjigj: “Kuptohet, zotëria!” – “Po, pse atëherë ti u shërben shërbëtorëve?” – prapë e pyeti zëri...

Më e bukura zonjë

Pas këtij vegimi Françesku edhe më tepër thellohej në mendime. U kthye në Asiz. U shërua. Prapë ishte ndër shokë të vet, të cilët në nder të tij përgatitën edhe një banket, gosti, në të cilën e shpallën “mbret” të rinisë së Asizit. Mirëpo, ai ishte i habitur në mendime të veta, sikur mos të ishte aspak i pranishëm në atë shoqëri. Shokëve u dukej se ishte dashuruar në dikë, dhe e pyetën: Cila do të ishte ajo vajzë fatlume, që e do Françesku? Ai pranon: “Po, me të vërtetë, unë jam i dashuruar! E dua një zonjë, më të bukurën dhe më të dëshirueshmen që ekziston në botë – zonjën Varfëri!”

 

Filloi të jetë më i dhimbshëm ndaj të varfërve, t’u ndihmojë dhe t’i respektojë. U jepte lëmoshë, por ende nuk ishte i aftë që ta ndante fatin e tyre – derisa një ditë nuk u takua me një të gërbulur. Asgjë në këtë botë nuk i neveritej sa gërbula. Instinkti i brendshëm e shtynte të ikte, kurse shpirti dhe ndërgjegjja e nxitnin që t’i ndihmonte vëllait që vuan aq shumë.

 

Shpirti mbizotëroi! Françesku ngadhënjeu mbi prirjen e mishit dhe të gjakut. Zbriti prej kalit. Ia dha të gërbulurit mantelin e vet. E përqafoi dhe e puthi. Prej atij momenti neveria e mëparshme iu bë ëmbëlsi. Shërbimi i të gërbulurve u bë puna e tij e përditshme. Françesku u bë njeri i ri.

 

Shpeshherë tërhiqej në vetmi për t’u lutur. Vizitonte me gëzim vende të shenjta dhe kisha të ndryshme. Në vitin 1206 shkoi në shtegtim në Romë, tek varri i shën Pjetrit apostull. Atje dha për lëmoshë gjithçka pati, po edhe veshmbathjen e ndërroi me një të varfër. Sprovoi edhe vetë jetën e skamnorit, i cili ka nevojë të lypë lëmoshë.

“Shko, Françesk,

e rindërtoje shtëpinë time...!”

Një ditë, derisa Françesku lutej para kryqit të Krishtit në kishën e shën Damjanit afër Asizit, dëgjoi prej kryqit një zë që i tha: “Shko, Françesk, e rindërtoje shtëpinë time, e cila – siç po e sheh – është duke u rrëzuar!” Me të vërtetë, kisha e shën Damjanit ishte e vjetër dhe shumë e dëmtuar. Prandaj Françesku kuptoi se ishte fjala për atë kishë. (Vetëm disa vjet më vonë ai do të kuptojë se thirrja e tij ishte ripërtëritja e Kishës së gjallë, e bashkësisë së besimtarëve.)

 

Menjëherë pra shkoi në shtëpi e mori një sasi mjaft të madhe stofash. I shiti stofat në Folinjo, së bashku me kalin e vet, dhe krejt çka fitoi ia dorëzoi famullitarit për rindërtimin e kishës. Për fat të mirë, famullitari e njihte mirë natyrën e Pietro Bernardonit, dhe nuk i investoi të hollat në ndërtim – duke ditur se ky së shpejti do të vijë për ta kërkuar pronën e vet. Ashtu edhe u bë. Prandaj Françesku e mori mbi vete obligimin që ta rindërtojë kishën me duart e veta dhe me lëmoshën e besimtarëve zemërmirë.

 

Ky ndërrim i botëkuptimit te shën Françesku shkaktoi mosmarrëveshje të mëdha mes tij dhe babait, si edhe mes tij dhe shoqërisë së vjetër. Rrallë kush nuk mendonte se Françesku ishte çmendur. Por vepra e Zotit në të shkonte gjithnjë përpara... 

I vetmi Atë – Ai në qiell!

Pasi ati i tij, Pietro Bernardone, kurrsesi nuk pajtohej me dëshirën e të birit që ta ndiqte thirrjen e Zotit, që e ndiente në zemrën e vet, dhe pasi i biri nuk e kursente pasurinë e atit, por gjithnjë e më tepër ua shpërndante të varfërve, i ati e mbylli në shtëpi porsi në burg – që t’i harrojë ëndrrat rinore. Mirëpo, kur një ditë Pietro shkoi për rrugë, zonja Picca – zemërbutë siç ishte – pati dhembshuri, mori guxim dhe e liroi djalin.

 

Kur Pietro u kthye në shtëpi, nuk pati më duresë, por e paditi djalin në gjyq. Ndërkaq Françesku e mohoi kompetencën e gjyqit civil, e kështu u gjetën në gjyq kishtar, para ipeshkvit të Asizit. Me atë rast (në vitin 1207) Françesku jo vetëm se i ra mohit të drejtës së trashëgimit të pasurisë së Pietro Bernardonit, por edhe krejt veshmbathjen e vet ia ktheu babës, duke thënë: “Tash më në fund me plot të drejtë mund të them: ‘Ati ynë që je në qiell’...”

 

Kështu shumë shpejt u krye gjyqi, në befasim të të gjithëve. Ipeshkvit nuk i mbeti tjetër, përveç ta mbulojë Françeskun me mantelin  e vet, e pastaj t’ia falë një këmishë të thjeshtë, e ta lëshojë të bëjë pendesë sipas frymëzimit të Zotit. Me këtë gjest prekës, simbolik dhe publik, shën Françesku e ndërpreu përgjithmonë lidhjen me familje dhe u bë me të vërtetë njeri i lirë me mish e me shpirt.

 

Vazhdoi me lutje dhe me pendesë, si edhe me rindërtimin e kishave rreth Asizit. Më së pari e rindërtoi kishën e shën Damjanit, pastaj kishën e shën Pjetrit della Spina, e më në fund kishën e Zojës së Engjëjve – Porciunkullën, e cila më vonë u bë “kisha nënë” e krejt Urdhrit Françeskan. 

Zbulimi i thirrjes

Ditën e shën Matisë apostull, më 24 shkurt 1209 (sipas kalendarit të vjetër), shën Françesku në meshë dëgjon – dhe në mënyrë të re, origjinale, e kupton – leximin e Ungjillit për dërgimin e apostujve. Posaçërisht thellë e prekën në shpirt fjalët: “Mos bashkoni në breza tuaj as ar, as argjend, as të holla bakri; (mos merrni me vete) as strajcë udhëtimi, as dy palë petka, as sandale, as shkop, sepse punëtori ka të drejtë në ushqimin e vet” (Mt 10, 9-10).

 

Këto fjalë të Krishtit Françesku i kupton tekstualisht, saktë, fjalë për fjalë ashtu siç i tha Krishti, megjithëse ashtu nuk i kuptoi askush para tij – përveç apostujve. Shpjegimin e tillë ia miratoi edhe vetë meshtari. E Françesku, i mahnitur prej gëzimit, tha: “Këtë unë dëshiroj! Kjo është ajo çka unë me gjithë zemër dua të bëj!” Ua dha të varfërve edhe atë pakicë që e kishte. Mbeti vetëm me një zhgun, pa sandale. Po edhe brezin e ndërroi me një litar të thjeshtë. E kështu filloi jetën e nxënësit të përsosur të Jezu Krishtit. 

Drita nuk mund të fshihet

Shenjtëria as nuk mund të fshihet, as nuk mund të mohohet pandërprerë. Drita gjithmonë e zhduk errësirën, errësira kurrë nuk e mund dritën. Populli i Asizit fillon të kuptojë se Françesku nuk ishte i marrë, por i shenjtë.

 

Megjithëse shën Françesku aspak nuk e kishte në plan themelimin e ndonjë bashkësie rregulltare, por vetëm dëshironte të bënte pendesë ai vetë, nuk kaluan as dy muaj pasi e kuptoi qartas thirrjen e vet, kur në prill 1209, një bujar i Asizit – Bernardi da Kvintavalle – e lut Shenjtin që ta pranojë që të jetojnë së bashku këtë ideal të vjetër të krishterë, në mënyrë të re, origjinale, françeskane.

 

Shenjti shkoi bashkë me të në kishë të shën Nikollës. U lutën së bashku dhe në nder të Trinisë së Shenjtë tri herë e hapën librin e Ungjillit – që të shohin se çka u këshillon Zoti.

 

Herën e parë u hap teksti: “Nëse do të jesh i përsosur, shko, shit çka ke, faljau skamnorëve e ke për të pasur visar në qiell; pastaj eja e më ndiq mua” (Mt 19, 21).

 

I dyti tekst ishte: “Asgjë mos merrni për udhëtim: as shkop, as strajcë, as bukë, as para, e secili mos të ketë më se dy këmisha” (Lk 9, 3).

 

Të tretën herë Ungjilli u hap te leximi: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje!” (Mt 16, 24).

 

Dhe Françesku tha: “Kjo është jeta dhe rregulla jonë, si edhe e të gjithë atyre që do të vijnë tek ne. Prandaj, nëse do të jesh i përsosur, shko dhe zbato atë çka ke dëgjuar!” Dhe u bë ashtu.

 

Menjëherë pas Bernardit vijnë edhe Pjetër Katani dhe fra Egjidi. Ata së bashku jetojnë, se bashku luten, punojnë dhe predikojnë kthimin dhe pendesën. Shembulli i tyre jep fryt: iu bashkëngjiten edhe Sabatini, Moriku, Gjoni della Cappella, Filip Longo, Gjoni i shën Konstancit, fra Barbaro, Bernardi dhe fra Angjello Tankredi.

 

Kështu lindi Urdhri i parë françeskan, “Urdhri i Vëllezërve të Vegjël” – “Ordo Fratrum Minorum” (shkurt: OFM). Në fakt, Françesku i quajti: “Vëllezër më të vegjël” (“Fratres minores”), dmth. vëllezër më të vegjël se të vegjlit e zakonshëm të kësaj bote!

Miratimi i Urdhrit të ri

Së shpejti u bënë 12 veta! Françesku ndiente përgjegjësi për ta. I nevojitej leja e autoritetit kishtar për themelimin e urdhrit të ri. Prandaj në pranverë të viti 1210 të gjithë së bashku u nisën në Romë te papa Inocenti III – që të kërkojnë miratimin e mënyrës së jetës së vet pendës-tare. E nuk ishte aspak punë e lehtë që të marrin leje për një gjë të tillë, krejt të panjohur në Kishë. Mirëpo, Zoti ua hapi rrugën...

 

Pas takimit të parë të papës me shën Françeskun dhe me shokët e tij, të cilët pa sukses provonin ta arsyetonin qëndrimin e vet, papa ka parë një ëndërr të çuditshme: e shihte bazilikën e Lateranit (katedralen e Romës) duke u rrëzuar. Mirëpo, erdhi një njeri i vogël, i thjeshtë, dhe e mbajti me krahë të vet – e kisha nuk u shkatërrua! Papa e njohu njeriun: ishte Françesku i Asizit, me të cilin ai atë ditë bisedonte. Menjëherë i thirri fretërit e rinj dhe gojarisht ua lejoi të jetojnë ashtu siç i frymëzon Shpirti i Zotit.

 

Fretërit plot gëzim u kthyen në Asiz. Në rrethinën e tij jetonin dhe predikonin, por ende nuk kishin asnjë kishë. Në bazë të kërkesës së shën Françeskut, benediktinët ua falën Porciunkullën, kishën e Zojës së Engjëjve – me kusht që kjo të jetë kisha qendrore (“kisha nënë”) e Urdhrit të ri. Ashtu edhe u bë.

 

Rëndësia e kësaj kishe u rrit edhe më tepër pas shpalljes së “Ndjesës së Porciunkullës” (në vitin 1216) – kur shën Françesku fitoi prej Zotit (mandej edhe me miratim zyrtar të papës!) ndjesën e plotë për të gjithë ata që, të rrëfyer dhe të kunguar, do të luten në atë vend të shenjtë.

Rregulla

Idealizmi dhe shenjtëria e shën Françeskut tejkalonte çdo ligj. Prandaj ai nuk donte të shkruante për vëllezërit e vet kurrfarë rregulle, sepse “Rregulla dhe jeta e Vëllezërve të Vegjël është kjo: të jetojnë Ungjillin e Zotit tonë Jezu Krishtit”. Nuk donte kurrfarë shpjegimi dhe kurrfarë kufizimi. Ashtu si ka thënë Krishti, ashtu duhet të jetojë besimtari i vërtetë. Çdo zbutje e kërkesave të Krishtit, çdo kufizim, është devijim, është largim nga ideali. E Françesku atë nuk e donte.

 

Mirëpo, ligji kishtar, i cili për çdo bashkësi kërkon rregullën e jetës, duhet të respektohet. Ky ligj, si edhe devijimi i bashkësisë në kohë kur Françesku ishte jashtë Italisë, e bindën Themeluesin se nuk mjafton vetëm fjala e gjallë, por nevojiten edhe normat e forta, precize, të shkruara dhe të miratuara nga autoriteti kishtar. Kjo nevojitej aq më tepër, sa më afër Françesku e ndiente vdekjen. Prandaj, në vitin 1221, Shenjti e hartoi Rregullën e parë, në të cilën e ka shprehur më tepër idealin e vet, se sa normat juridike. Ky dokument edhe sot është burim i madh i përshpirtërisë françeskane.

 

Në vitin 1223 e harton Rregullën e dytë, më të shkurtër, së bashku me fra Leonin dhe fra Bonicin, duke marrë para sysh edhe sugjerimet e Kapitullit gjeneral, si edhe kërkesat juridike të së Drejtës kanonike (kishtare), për të cilat kujdesohej më së shumti kardinal Hugolini. Dhe kjo Rregullë u miratua nga papa Honori III, më 29. 11. 1223. (Për këtë arsye çdo vit më 29 nëntor festohet festa e Të Gjithë shenjtërve të Familjes françeskane: të Urdhrit të Parë, të Dytë dhe të Tretë.)

Stigmatizimi

A e donte dikush Krishtin aq fort sa shën Françesku? Vetëm Zoti e di. Por e sigurt është se, përveç Zojës së Bekuar, askush nuk i përngjante me mish dhe me shpirt sa ai. Ishte tashmë tepër i sëmurë, por nuk mendonte aq për sëmundjen e vet, sa për vuajtjet e Krishtit të kryqëzuar.

 

Në gusht të vitit 1224, së bashku me pesë vëllezër të tjerë, shën Françesku shkoi në malin La Verna për të agjëruar “kreshmët e Shën Mihillit”. Ditën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, më 14 shtator, ai lutej posaçërisht për hirin që, aq sa është e mundshme për njeriun, të bëhej pjesëtar i vuajtjeve të Krishtit në kryq. Dhe Zoti bëri mrekulli: Françeskut iu duk në vegim një Serafin i kryqëzuar. Nga varrat e tija ra diçka si rreze drite në trup të shën Françeskut. Menjëherë në duar, këmbë dhe në kraharor të tij u krijuan pesë plagë, të ngjashme me ato të Krishtit të kryqëzuar (“stigmata”).

 

Ishin plagë të vërteta, të përgjakura, me dhembje të forta. Françesku i mbante në trup të vet plot dy vjet – deri në vdekje. Kështu, me vullnet të Zotit, u bë i ngjashëm me Krishtin edhe me trup, sikurse ishte me shpirt.

 

Përkujtimin e kësaj ngjarjeje Kisha e feston më 17 shtator.

Vdekja dhe kanonizimi

Gjendja shëndetësore e shën Françeskut keqësohej gjithnjë e më tepër. Nuk mund t’i ndihmonin as mjekët e vendit, as mjekët e papës në Sienë. Prandaj u kthye në Asiz. Por dëshira e tij ishte të vdesë në Porciunkullë. Disa ditë para vdekjes e çuan atje.

 

Të shtunën, më 3 tetor 1226 në mbrëmje, i bekoi fretërit e vet: ata që ishin dhe ata që do të bëhen dikur. Pastaj e këndoi me vëllezër Këngën e krijesave – së bashku me strofën e re për motrën vdekje. Atëherë kërkoi që t’i lexohet pjesa e Ungjillit sipas Gjonit, në të cilën përshkruhet se si Jezusi ua lau këmbët apostujve (Gjn 13, 1-17) dhe më në fund së bashku me vëllezër këndoi Psalmin 142 [141], e pastaj dha shpirt.

 

U varros më 4 tetor në Asiz, përkohësisht në kishën e shën Gjergjit. Kortezhi funeral kaloi pranë kishës së shën Damjanit, që shën Klara dhe motrat e saja të mund t’ia japin nderimin e fundit Themeluesit të tyre.

 

Pas vdekjes së Honorit III, në mars 1227, u zgjodh papa i ri – kardinal Hugolini, dashamiri i shën Françeskut, i cili e mori emrin Gregori IX. Ai më 19 korrik 1228 e shpalli kanonizimin e shën Françeskut të Asizit – e regjistroi ndër shenjtërit e Kishës – dhe caktoi që festa e tij të festohet çdo vit më 4 tetor.

 

Dy ditë para kanonizimit (më 17. 07. 1228) filloi ndërtimi i Bazilikës së shën Françeskut në Asiz. Në të pastaj (në vitin 1230) u varros trupi i tij, ku gjendet edhe sot.