Famullia e Kastratit

 

Fra VILSON  BUJAJ

Famullitar i famullisë së Shën Markut në Kastrat.

Famullia e Kastratit është shumë e vjetër, por të dhëna të sakta nuk kemi. Në vitin 1678 Prefekti i Misionit Apostolik, Fra Jozef nga Plebe, e nxiti Fra Dominikun a Grottis që në Kastrat ta ndërtojë hospicin dhe që prej atij vendi ta shërbejë krejt Malësinë e Madhe.  Kisha e shën Markut ungjilltar në Kastrat u ndërtua në vitin 1726 – dhe prej atij viti famullia i ka edhe amzat. Më vonë, prej vitit 1832, Kastrati u bë selia e Prefekturës së Misionit të Kastratit, deri në vitin 1898.

 

Hospicin ekzistues në Kastrat e ndërtoi Fra Bernardin Shllaku, famullitar i atëhershëm, në vitin 1901. Në atë kohë famullia kishte 11 lagje, me 147 familje dhe 1.276 besimtarë. Këtë famulli e ka shërbyer edhe i lumi Fra Mati Prendushi (1907-1919).

 

Famullitari i fundit gjatë komunizmit në Kastrat ishte Fra Konstantin Pistulli. Kur në vitin 1967 u mbyllën të gjitha kishat në Shqipëri, Fra Konstantinin pushteti e ktheu në Shkodër. Kisha u kthye në depo, e hospici në zyre të kooperativës. Menjëherë pas lirimit të fesë në vitin 1990, ish-famullitari prapë u kthye në Kastart dhe shërbeu atje, derisa sëmundja e detyroi të tërhiqej, në vitin 2003.

Famullisë së Kastratit i takon edhe kisha filiale në GORAJ. Kapelen e parë në varrezat e Gorajve e kanë ndërtuar italianët në vitin 1941. Në vitin 2012-2015 u ndërtua kisha e re e shën Gjergjit martir, së bashku me salla për mësim feje.


Zona e Kastratit