Zona e Kelmendit

 Fra GJON KALAJ,

Administrator i Famullive të Kelmendit.

Zona e Kelmendit (sipas Frang Bardhit) në vitin 1638 kishte rreth 250 shtëpi katolike, me 2.900 besimtarë. Nga viti 1700 është ndarë në dy famulli: në famullinë e Selcës, të kushtuar shën Nikollës ipeshkëv, dhe në famullinë e Vuklit, të kushtuar shën Klemintit I., papë.

 

Momentalisht shërbehet nga Kuvendi i Arrës së Madhe.

SELCA i ka amzat që nga viti 1737, kur aty u ndërtua qela e fratit (Fra Antoni nga Montemurro). Në atë kohë kjo famulli kishte 13 fshatra, me 1.106 besimtarë katolikë. Kishën dhe qelën i rindërtoi Fra Joakim Serreqi rreth vitit 1900. Aty e hapi edhe shkollën. Në vitin 1906 Selca kishte edhe 55 anëtarë të Urdhrit françeskan shekullar. Në kohën e komunizmit kisha dhe qela e fratit u shndërruan në qendër kulture. Kisha e re në Selcë u ndërtua në vite 1997-2006.

VUKLI është famulli shumë e vjetër. Dihet se e kanë shërbyer Fra Salvatori nga Offida dhe Fra Pali nga Mantova, derisa tradhtisht u vranë në vitin 1644. Nga viti 1649 e kanë shërbyer Fra Benedikti nga Soligo dhe Fra Hiacinti nga Setia. Ata, në vendin që në atë kohë quhej Spaia, e sot quhet Vukël, e kanë ndërtuar edhe kishën e shën Klementit. Amzat janë ruajtur që nga viti 1865, kur Vukli kishte 1.621 besimtarë, kurse në vitin 1908 kishte 10 fshatra me 2.106 besimtarë. Kisha e re në Vukël u ndërtua në vitin 1998-2001.

TAMARE përpara nuk kishte kishë. Ishte pjesë e famullisë së Selcës. Kishën e Shna Nodut të Padovës dhe qendrën pastorale në Tamare e ndërtoi Fra Livio Sorsoli, në vitin 1995-1996, duke i përshtatur ndërtesat e ish kooperativës.

VERMOSHI e kishte edhe para komunizmit kishën e shën Pjetrit, si filiale e famullisë së Selcës. Kisha e re e Martirizimit të shën Gjon Pagëzuesit është ndërtuar në vite 1995-1997.

NIKÇI edhe në shekullin XVIII kishte një kapele të vogël. Kisha e re e Zojës Ndihmëtare në Nikç u ndërtua në vitin 2003.

GRABOMI e kishte një kapele të vjetër që nga koha e misionarëve të parë (1636-1644). Prej saj kishin mbetur vetëm themelet. Pas lirimit të fesë Fra Livio Sorsoli në vitin 1996 e ndërtoi aty një kapele në nder të shën Gjergjit martir.

QAFA E PERDOLECIT përpara nuk kishte kishë. Që nga viti 2014 aty po ndërtohet një kapele, filiale e Selcës. 

BROJA e kishte kishën e shën Jozefit edhe para gati 200 vjetëve. Ajo gjatë komunizmit u shndërrua në qendër kooperative, por pas lirimit të fesë prapë u bë kishë dhe u shërben kremtimeve liturgjike.


Zona e Kelmendit