Famullia e Bizës

Fra SERGIO GAZZEA,

Administrator i Famulisë së Zojës së Madhe në Bizë. 

Në Kep të Rodonit motra e Gjergj Kastriotit, Mamica, kishte ndërtuar manastirin dhe kishën për motrat e shën Klarës (klarisat). Aty afër ishte edhe kështjella e Gjergj Kastriotit.

 

Me pushtimin e kësaj zone nga ana e turqve, motrat u detyruan të largoheshin prej Shqipërie. Kishën dhe kuvendin ua kanë lënë fretërve. Aty shumë kohë gjendej edhe Provincialati françeskan (1713-1827).

 

Në vitin 1837 ipeshkvi i Lezhës, mons. Gabriel Barišić nga Bosnja, e restauroi kuvendin dhe atje edhe vdiq (në vitin 1839).

 

Pasi fretërit prej asaj qendre vazhdimisht e kanë shërbyer popullin e zonës, në vitin 1862 ipeshkvi i Durrësit, Mons. Rafael De Ambrosio, OFM, ua besoi fretërve famullinë. Fretërit në të njëjtin vit e ndërtuan kishën e re në nder të shën Nikollës ipeshëv në Bizë.

 

Në territorin e kësaj famullie dikur ekzistonin shumë kisha: e shën Pjetrit e Palit, e shën Dimitrit, e shën Vlashit, e shna Prendës etj. – gjë që dëshmon se aty jetonin katolikët me shumicë.

 

Famullitari i fundit i Bizës në kohën e komunizmit ishte Fra Viktor Volaj (1959-1967). Ai e ka riparuar kishën e vjetër dhe ka shkruar edhe një monografi shumë të bukur për famullinë e Bizës (e botoi don Tomë Gjugja, në Gjakovë 2005, fq. 143). Në kohën e tij Biza kishte 10 lagje, 109 familje dhe 803 besimtarë.

 

Pas ndalimit të fesë në Shqipëri në vitin 1967, kisha e Bizës shërbente si pallat kulture. Në vitin 1991 prapë u bë kishë, kurse shtëpia e famullitarit ishte e pabanueshme. Në fillim famullinë e shërbente Fra Zef Pllumi, pastaj jezuitët (P. Gianfranco Iacuzzi), të cilët e rregulluan kishën dhe e ndërtuan shtëpinë. Pas tyre ndërroheshin meshtarët dioçezanë dhe rregulltarët (fretërit, skalabrinianët, koncepcionistët dhe celestinët).

 

Nga viti 2016 Bizën prapë e shërbejnë françeskanët – nga Kuvendi i Tiranës.

 

Famullia sot ka rreth 1.500 besimtarë.

Famullia e Bizës