Kuvendi i Shna Ndout

 

Guardianat. Famulli. Shenjtërore.

Fretërit e Malit të Zi deri pas Luftës I. botërore ishin pjesë e Provincës françeskane shqiptare. Besimtarët e famullive të tyre janë shqiptarë dhe flasin shqip. Mirëpo, pasi pas lufte komunikimi me Provincën amë ishte i pamundshëm, Ministri Gjeneral në vitin 1925 i bashkoi fretërit e Malit të Zi me Provincën françeskane të shën Jeronimit në Zarë (Zadar, Kroaci). Megjithatë Provinca e Zarës ua njihte autonominë – si Misionit mjaft të pavarur shqiptar.

 

Në kohë të fundit, pasi u ndryshua situata politike në Ballkan, fretërit e Malit të Zi prapë janë bashkuar me Provincën françeskane shqiptare të Zojës Nunciatë, në vitin 2013.

 

Në fillim në Mal të Zi ishin 4 famulli françeskane, të gjitha nëpër male. Ndërkaq, frati largpamës, Fra Marjan Prelaj, i cili në atë kohë ishte famullitar në Grudë dhe Traboinë, e bleu tokën dhe e ndërtoi kishën e Shna Ndout në Tuz, në fushë, ku në atë kohë kishte shumë pak besimtarë. Më 18. 02. 1929 u themelua famullia e re e Tuzit, sot më e madhe në Arqipeshkvinë e Tivarit.

 

Për fat të keq, shumica e besimtarëve të këtyre famullive në 50 vjet të fundit janë shpërngulur në Amerikë. Por edhe shumica absolute (88,8 %) e të gjithë besimtarëve të të gjitha famullive të vjetra sot jetojnë në Tuz.

 

Sot edhe fretërit jetojnë vetëm në këtë kuvend dhe prej tij i shërbejnë të gjitha famullitë e Malësisë.

Fretërit e Tuzit momentalisht krejt së bashku i shërbejnë 5 famulli. Gjithsej kanë 1.344 familje, me 5.165 besimtarë.

 

 

FAMULLIA E TUZIT

 

Famullia e Shna Ndout të Padovës në Tuz u themelua më 18. 02. 1929, me largpamësi dhe përpjekje të Fra Marjan Prelës. Kisha famullitare u ndërtua në vitin 1934, u përfundua në vitin 1963, e u rinovua në vitin 1999.

 

Arqipeshkvi i Tivarit, Mons. Zef Gashi, zyrtarisht e shpalli kishën e shna Ndout Shenjtërore, me 24. 11. 2013.

 

Krejt famullia sot ka 1.111 familje, me 4.129 besimtarë katolike.

 

Përveç Kuvendit françeskan, Tuzi e ka edhe Kishën famullitare dhe Qendrën pastorale “Shna Ndou”.

 

Janë edhe katër kisha filiale: e Shën Franit në Sukruq; e Shën Jozefit në Drume (e ndërtuar në vitin 1968); e Shën Gjonit në Vuksanlekaj (e ndërtuar në vitin 1908); e Shën Mihillit në Dinoshë.

 

Fretërit e kanë edhe Qendrën shpirtërore “Shna Krygja” në Sukruq.

 

 

FAMULLIA E TRABOINIT – HOT

 

Famullia u themelua në vitin 1620. Pajtorja e famullisë është: Amësia e Zojës së Bekuar. Festa me miq e famullisë: Shën Gjoni Kryepremë (më 29 gusht).

 

Kishën e vjetër e kishte ndërtuar Fra Bazili nga Dongo në vitin 1899. Kishën e re dhe qelën në lagjen Arzë në kohë të fundit i ka rinovuar Fra Fran Dushaj.

 

Famullia ka 82 familje, me 400 besimtarë.

 

 

FAMULLIA E TRIESHIT

 

Famullia u themelua në vitin 1673. Amzat i ka nga viti 1763. Pajtorja e famullisë, si edhe “festa me miq” është Zoja Rruzare (“Zoja e Trieshit”). Kisha e re u ndërtua në vitin 1974.

 

Krejt famullia ka 48 familje, me 220 besimtarë katolikë.

 

Përveç kishës famullitare dhe qelës në Stjepoh, famullia ka edhe kishën filiale të Shën Kollit në Nikmarash dhe kishën filiale të Shën Shtjefnit në Koritë.

 

 

FAMULLIA E GRUDËS

 

Kishën e parë të Grudës në nder të Zojës së Madhe në vitin 1640 e ndërtoi Fra Gregori nga Novara, i cili pastaj u bë ipeshkëv i Shkodrës. Më vonë fretërit kanë ndërtuar hospicin dhe kapelën në nder të Shën Martinit, i cili tash është pajtor i famullisë, kurse festa me miq edhe më tutje është Zoja e Madhe (“Zoja e Grudës”).

 

Famullia i ka amzat që nga viti 1821.

 

Kisha e re u ndërtua në vitin 1967.

 

Famullia ka 39 familje, me 166 besimtarë katolikë.

 

 

FAMULLIA E KOJËS SË KUÇIT

 

Famullia u themelua në vitin 1863(?). Pajtori i famullisë është Shën Demetri, martir (“Dimitri”). Festa e famullisë me miq: Shna Ndou.

 

Famullia ka 64 familje, me 250 besimtarë katolikë.

 

Prej objekteve kishtare famullia e ka kishën dhe qelën në katundin e Kojës.

Familja Rregulltare

 

Fra MIRASH MARINAJ, Guardian, Famullitar i famullisë së Tuzit e Kojes, Përgjegjës për Qendrën shpirtërore në Sukruq, Drejtor i Revistave “Hylli i Dritës” dhe “Zani i Shna Ndout”, Përgjegjës i zyrës baritore, Asistent i Kustodies për famullitë dhe shenjtëroret, Asistent lokal OFS.

 

 

 

 

 

 

 

Fra FRAN DUSHAJ, Vikar i kuvendit, Ekonom i kuvendit, Asistent për përgatitjen e projektit për Shenjtëroren e Laçit, Famullitar i famullisë së Hotit.

 

Fra KOLË MITRI, Administrator i famullisë së Trieshit dhe Grudës.

 



Kuvendi “Shna Ndou i Padovës”

MNE – 81296 Tuzi - CRNA GORA

Google Maps content is not displayed due to your current cookie settings. Click on the cookie policy (functional) to agree to the Google Maps cookie policy and view the content. You can find out more about this in the Google Maps privacy policy.