Hyrje në noviciat

Një ndër fazat integruese në formimin e një regulltari është edhe viti i noviciatit, i cili synon përforcimin e thirrjes përmes një marrëdhënieje më të thellë me Zotin dhe me anëtarët e bashkësisë në të cilën personi jeton e vepron. Ky vit, i cili i pranishëm tek urdhra dhe kongregata të ndryshme denominohet si "viti i provës". Gjatë këtij viti personi në mënyrë më rigoroze vihet në njohje të vazhdueshme të vetes dhe të vullnetit të Zotit në jetën e tij, duke bërë edhe "pastrimet" e nevojshme të cilat ndihmojnë në një paqësim me vetveten.

 

Këtë vit Provinca Françeskane Shqiptare është pasuruar me një novic të ri, fra Eduard Daka, i cili ka përfunduar vitin e postulandatit në Fonte Colombo së bashku me dy postulantë të Provincës së Shën Bonaventurës së Lazio-Abruzzos. Fonte Colombo është vendi ku shën Françesku shkroi Rregullën përfundimtare për Urdhrin e fretërve, e cila sillet rreth përvujtërisë, braktisjes së kënaqësive tokësore dhe varfërisë. Më 08 shtator 2024 është kremtuar riti i hyrjes në noviciat së tre postulantëve, në kishën e Shën Françeskut në Fonte Colombo. Lutja e Mbrëmësores, gjatë së cilës është bërë riti i veshjes së zhgunit, u udhëhoq nga provinciali i Provincës së Shën Bonaventurës, fra Luciano De Giusti dhe zëvendës provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Aurel Gjerkaj. Fra Luciano ftoi novicët e rinj t’i besohen bashkësisë që kanë zgjedhur për të jetuar sipas modelit të shën Françeskut, si dhe ftoi fretërit në një bashkëveprim vëllazëror për të shoqëruar këta në rinj në rrugën e tyre në ndjekje të gjurmëve të Krishtit.

 

Pas fjalës së provincialit filloi riti i veshjes së zhgunit,  të cilin postulantëve romanë ua veshi fra Luciano, ndërsa Eduardit ia veshi fra Aureli. Të pranishëm në këtë moment të veçantë ishin fretër nga Provinca e Shën Bonaventurës, të cilëve iu bashkëngjitën edhe fra Aurel Gjerkaj, fra Valentin Tinaj, fra Lorenc Pepniku dhe fra Kreshnik Marku nga Provinca Françeskane Shqiptare. Riti u mbyll me procesionin për në kapelën e Maria Mandalenës, i cili u ndoq nga një koktej i përbashkët në ambientet e kuvendit të fretërve.

 

Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku