Jubileu i kushtimit rregulltar

Të dielën, më 29 tetor 2023, në Kishën e Shën Kjarës, motër Laqe Gjuraj, motër Lula Ahmataj e motër Gjyste Zefi kanë përkujtuar  25-vjetorin e kushtimit rregulltar në Urdhrin e Motrave të Varfra të shën Kjarës. Përkujtimin e kushtimit të tyre e kanë bërë gjatë kremtimit të Mbrëmësores solemne të udhëhequr nga Asistenti OFM për motrat Klarise, fra Aurel Gjerkaj.

 

Kanë marrë pjesë në momentin e lutjes edhe motër Lucia e motër Emanuela, të ardhura nga Fanano (Modena) në vizitë vëllazërore, bashkëmotra të motrës Isabella, e cila tash jeton me klariset e Shkodrës. Ishin të pranishëm edhe fretërit e bashkësive të Gjuhadolit dhe të Arrës së Madhe.

 

 

Pas leximit të shkurtër dhe predikimit të bazuar mbi urdhrin e dashurisë së Zotit, është vijuar riti i ripërtëritjes së kushteve. Secila motër me llambën e ndezur në dorë  ka ripërtërirë para të pranishmëve ato premtime të bëra në ditën e kushteve të para. Pas këtij momenti motrat kanë përshëndetur motrat e tjera, ndërsa asambleja e lavdëronte Hyjin me këngën "Jubilate Deo".