Kushtet për jetën e një personi rregulltar janë shumë të rëndësishme pasi e shoqërojnë atë gjatë krejt jetës së tij. Kushtet rregulltare për fretërit minorë janë dëgjesa, varfëria dhe pastërtia. Ato merren fillimisht pas përfundimit të vitit të noviciatit, e më pas ripërtërihen për disa vite me radhë derisa më vonë bëhen për tërë jetën.
Më 05 shtator 2024, në festën e Nanë Terezës, kanë bërë kushtet e përjetshme fra Kolë Thaqi nga Kosova, fra Sergjo Jaku nga Shkodra dhe fra Tomë Bushpreni nga Durrësi. Mesha solemne është udhëhequr nga Provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol, ku dy nga fretërit kanë kaluar pjesën më të madhe të formimit të tyre. Fra Pashku gjatë fjalës së tij nxiti, këshilloi dhe uroi fretërit në misionin e tyre si dëshmitarë të ungjillit në botën bashkëkohore. Bashkëkremtues ishte Delegati i Ministrit Gjeneral fra Ivan Sesar, Zëvendës provinciali fra Aurel Gjerkaj, Rektori i kishës së Shën Françeskut fra Gazmend Tinaj si dhe meshtarë të tjerë. Gëzimit të fretërve iu bashkuan edhe familjarë, miq e të afërm, të cilët ardhur nga vende të ndryshme bashkëndanë këtë moment të veçantë për fretërit dhe për krejt Provincën Shqiptare, e cila e larë me gjakun e martirëve vazhdon të lulëzojë e të përhapë farën e mirë të Ungjillit.
Kremtimi eukaristik është pasuruar edhe nga zërat e ngrohtë të anëtarëve të korit të kishës françeskane, të cilët së bashku me motra e të rinj ndihmuan në krijimin e një ambienti të përshtatshëm për përjetimin e kushtimit rregulltar të fretërve. Në fund të meshës fra Kola në fjalën e tij përshëndetëse falënderoi të gjithë të pranishmit si dhe ata të cilët kanë qenë pranë fretërve gjatë viteve të tyre të formimit. Kjo festë u mbyll me koktejin e organizuar në oborrin e kuvendit të Shën Françeskut.