Promovimi i librit “Kohë në shtjellë”

 

        Në ambientet e teatrit “Illyricum” në Shkodër, me datën 29 nëntor 2025 ishte promovimi i librit me poezi “Kohë në shtjellë”, ku autor i këtij libri është Provinciali i Provincës Françeskane në Shqipëri e Mal të Zi Padër Pashko Gojçaj O.F.M.. Promovimi u zhvillua në orën 15:00, edhe pse ishte ditë e vështirë, sepse në mëngjes ndërroi jetë Mons. Simon Kulli, Ipeshkvi i Dioqezës së Sapës.

 

Programi i promovimit u moderua nga diakoni permanent Orsin Turmalaj

            Fjalën e hapjes e mbajti Guardiani i Kuvendit të “Shën Françeskut” në Gjuhadol/Shkodër, Padër Gazmend Tinaj, O.F.M., pastaj u vazhdua me poezinë “Gjithmonë me Krishtin”, të interpretuar nga  Paulin Ujka. Më pas u mbajtën kumtesa mbi librin dhe vetë autorin, duke na dhënë mundësinë për ta njohur më thellë frymëzimin dhe mesazhin e këtij libri.

             Duke qenë se Prof. Dr. Anton Nikë Berisha, shkrimtar dhe studiues i njohur nga Kosova, është ai që ka shkruar parathënien e librit, e përqendroi ligjëratën e tij mbi vazhdimësinë e poetëve dhe shkrimtarëve që vijnë nga radhët priftërinjve që kontribuuan dhe vazhdojnë të na japin vepra letrare me vlera të rëndësishme për letërsinë shqipe.

Ligjëratën me kumtesën e tij e vazhdoi Përgjegjësi i “Botimeve Françeskane”, si dhe njëkohësisht Drejtori i Bibliotekës Françeskane “Át Gjergj Fishta”,  Dr. Át Vitor Demaj, O.F.M., i cili foli për traditën françeskane si edhe për kontributin ndër vite të autorit të librit.

 

             Më pas, dëgjuam të interpretuar nga Klejda Xhakaj, poezinë “Kryet nalt”, kushtuar Kryengritjes së Malcís.

Pedagogu i Letërsisë së Huaj, në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”,   Prof. As. Dr. Vinçens Marku, na paraqiti një interpretim kritik dhe estetik mbi poezinë “Shkodra ka”.

Paulin Ujka, interpretimin e poezive e mbylli me: “Elteri i Atdheut”.

 

            Në fund, fjalën përmbyllëse dhe falënderuese e pati Provinciali Padër Pashko Gojçaj, O.F.M., i cili tha se: të gjitha poezitë janë fjalë që kanë dalë nga zemra dhe nga dashuria e sinqertë. Me falënderimet e autorit të librit, për të gjithë ata që dhanë kontributin e vet në realizimin e këtij libri me poezi u mbyll dhe promovimi.

 

            Gjithashtu, Pader Pashku, në shenjë falënderimi, dhuroi librin e ri me poezi “Kohë në Shjellë”.

Për të mbyllur mikpritjen për pjesëmarrësit dhe për të gjithë të ftuarit u shtrua një koktej, në ambientet e Kuvendit të “Shën Françeskut”.

 

 

                                                                                                                    Teksti: Fra Tomë Bushpreni OFM

                                                                                                                      Foto: Nënshati