Solemniteti i Shën Françeskut

     Përgjatë historisë së Kishës kanë qenë të shumtë ata që janë shndërruar në shembuj të mrekullueshëm përvujtërie, bujarie, dëlirësie, mëshire dhe kthimi, me pak fjalë shembuj të zbatimit të ungjillit me krejt jetën e tyre. Një figurë e tillë është pa diskutim edhe shën Françesku i Asizit, i cili për vete dhe fretërit e tij dëshironte vetëm një Rregull; të zbatojnë ungjillin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Të flasësh për një shenjt si Françesku do të duheshin ditë, javë e muaj me radhë, kjo pasi çdo vepër të tijën ai e bënte në nder e lavd të Hyjit, që të lavdërohej Emri i tij tejet i shenjtë. E kremtja e Shën Françeskut, e cila festohet me datën 4 tetor, nuk është festë vetëm për familjen françeskane, por edhe për shumë e shumë besimtarë që ecin gjurmëve të tija në rrugën drejt shenjtërimit.

 

     Moment i veçantë i kësaj të kremteje është kremtimi i Transitus kalimi i Shën Françeskut. Ky moment festohet me 3 tetor. Transitus u kremtua në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol në orën 19:00. Këtë kremtim e udhëhoqi Fr. Aurel Gjerkaj Vikari Provincial. Riti është i thjeshtë, ky moment lutjeje filloi duke lutur mbrëmësoren. Ka pasur edhe momente ku u lexua letra i Fratit Elise, ku tregohet se si Shën Françesku është takuar me motër vdekjen. Me pas vijoj me procesionin, ku u mbart shtatorja e Shën Françeskut, ku e dërguan në kishën e motrave Klarise, atje u bë pjesa e dytë e ritit dhe në fund të këtij riti u dha bekimi dhe më pas u shpërndanë disa bukë të bekuara, shenjë që tregon vëllazëri mes njerëzve.

 

      Ndërsa më 4 tetor 2025 në Kishën e Shën Françeskut Gjuhadol- Shkodër u kremtua Mesha Solemne e Festës së Shën Françeskut në orën 18:00. Meshën e Shenjtë e kremtoi Mons. Giovanni Peragine Arqipeshkvi i Shkodër- Pultit. Të pranishëm ishin fretërit e provincës tonë, fretërit kapuçin, meshtarë dioqezan të dioqezave të ndryshme, si dioqeza e Shkodrës, Tivarit, Sapës, Lezhës. Të pranishëm ishin edhe besimtarë të shumtë nga famulli të ndryshme. Me prezencën e tyre na nderuan edhe motrat e Shën Françeskut të Martirit Shën Gjergjit. Këto motra janë misionare Gjermane që shërbejnë prej shumë vitesh në dioqezën e Jugut, saktësisht në qytetin e Delvinës, motrat quhen: motër Relindis Vosel, motër Angela Hartman dhe motër Sofia, motrat i falenderojmë për përkushtimin e tyre ndaj banorëve të qytetit të Delvinës, pa dallim feje.

 

     Këtë kremtim e bënë më dinjitoz dhe ndihmuan që të hynim më thellë në lutje, zërat e bukur të korit të Kishës së Shën Françeskut Gjuhadol. Pas meshës pati dhe një moment bashkëndarje vëllazërore ku u ndalem dhe uruam njëri-tjetrin.

 

 

 

 

                                                                                                                 Teksti: Fra Sergjo Jaku

                                                                                                                                          Fotot: Diakon Orsin Turmalaj