Viti 2021 është një vit i veçantë për françeskanët dhe jo vetëm, pasi përkujtohen tri figura paradigmatike, pa të cilat do të ishte e vështirë të flitej për françeskanë në Shqipëri. Bëhet fjalë për padër Gjergj Fishtën, të cilit i është përkujtuar 150-vjetori i lindjes dhe padër Anton Harapin e të lumin padër Gjon Shllakun, të cilët janë përkujtuar në 75-vjetorin e martirizimit të tyre. Të thuash për këto figura “janë përkujtuar” është paksa kontradiktore për vetë faktin se ata janë më të gjallë se kurrë në mesin tonë. Të shumta kanë qenë aktivitetet e bëra në nder të tyre përgjatë këtij viti.
Në vazhdën e këtyre aktiviteteve Provinca françeskane “Zoja Nunciatë” ka organizuar një takim përkujtimor në Tiranë me rastin e 75-vjetorit të martirizimit të padër Anton Harapit dhe padër Gjon Shllakut. Takimi është zhvilluar në ambientet pranë Kuries Arqipeshkvnore Tiranë-Durrës më 24 nëntor 2021. Qe provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare fra Pashko Gojçaj, ai i cili hapi takimin me përshëndetjen e tij. Është e rëndësishme të theksohet se këto figura mund të trajtohen në sense në ndryshme që lidhen me aspekte letrare, shpirtërore, fetare etj., e ndër këto në fjalën hyrëse fra Pashku, pasi përshëndeti të gjithë të pranishmit, vuri në dukje sidomos çështjen e martirizimit të padër Gjonit dhe Antonit, ndër të cilët i lum është shpallur vetëm padër Gjon Shllaku. Fra Pashku shtoi se të krishterët vijojnë të persekutohen çdo ditë nëpër vende të ndryshme të botës; pra kemi të bëjmë me një fenomen fatkeqësisht mjaft të përhapur. Provinciali gjithashtu ceku akuzën kryesore që u është bërë martirëve shqiptarë në përgjithësi, e ajo është pikërisht besnikëria e tyre e palëkundshme ndaj Selisë së Shenjtë.
Menjëherë pas tij e mori fjalën ipeshkvi ndihmës i Arqipeshkvisë Tiranë-Durrës imzot Arjan Doda, i cili theksoi rolin dhe kontributin e madh të françeskane në të gjitha fushat e lartpërmendura. Ata e vazhduan misionin gjatë gjithë jetës së tyre pa pretenduar diçka në kthim, por vetëm duke kërkuar lumturinë e këtij populli, bijtë e të cilit ishin edhe ata vetë. Pas imzot Arjanit përshëndeti Nunci apostolik në Shqipëri imzot Luigi Bonazzi. Ky i fundit u përqendrua më së shumti tek aktualiteti i këtyre martirëve të pavdekshëm, të cilët i quajti shtylla të vërteta të ringjalljes françeskane.
Në këtë takim nuk kishte se si të mungonte edhe arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult, njëkohësisht edhe kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Shqiptare imzot Angelo Massafra, i cili qe ndër eksponentët kryesorë i cili ka çuar përpara çështjen e lumnimit të martirë shqiptarë. Pas imzot Angelos vijoi Kryetari i Pranisë së OSBE-së në Tiranë, Ambasadori Vincenzo Del Monaco, i cili gjithashtu u fokusua në martirizimin e tyre, kësaj radhe në stilin e martirizimit që i përngjan pikërisht proto-martirit shën Shtjefnit.
Më pas kanë vazhduar me kumtesat e tyre prof. Aljula Jubani dhe z. Anton Gojçaj. Këta të fundit trajtuan aspektet letrare, historike dhe albanologjike të martirëve tanë, aspektet të cilat nuk janë aspak inferiore ndaj atyre shpirtërore dhe fetare, pasi rritja shpirtërore dhe ajo intelektuale ecin paralelisht dhe përplotësojnë njëra-tjetrën. Në fund fjalën e mori Drejtori i Botimeve Françeskane fra Vitor Demaj, i cili pasi paraqiti botimet e fundit të Botimeve Françeskane (tri veprat e At Anton Harapit dhe vëllimin e plotë të At Gjon Shllakut) përshkroi qëllimin e veprës së padër Antonit dhe padër Gjonit, që është pikërisht edukimi dhe formimi i mendësisë shqiptare. Dhe këtë gjë mund ta vërejmë nga maksima “Për fe e atdhe”, e cila i ka shoqëruar gjatë krejt jetës së tyre.
Siç çdo takim tjetër përkujtimor edhe ky i bërë në nder të martirëve tanë ka një qëllim të caktuar dhe kësaj radhe e ka shikimin të drejtuar nga e ardhmja. Së pari, ka për qëllim sensibilizimin e çështjes së lumnimit të padër Anton Harapit, i cili kurrë nuk e braktisi idealin e tij deri në çastin e vdekjes. Pastaj nga se u tha më sipër për martirët dhe kontributin e tyre për Shqipërinë mund të kuptojmë vlerën e pakrahasueshme të tyre. Por mjerisht këtyre gjigandëve nuk u duhet as varri. Prandaj u bëhet apel edhe organeve kompetente që të ndihmojnë në gjetjen e eshtrave të tyre që të nderohen në mënyrë sa më të denjë, ashtu siç edhe e meritojnë.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku
Fotot: Studio Nënshati