Për Familjen Françeskane, ky vit është i veçantë, plot hire, pasi shënon 800 vite nga kalimi në amshim iAtit Serafik Shën Françesku i Asizit(1226- 2026). Ky Jubile u hap zyrtarisht me datë 10 janar 2026 nga Papa Leoni XIV, ku dhe u lexua dekreti zyrtar,që hapi zyrtarisht Jubileune që do të zgjasë deri me datën 10 janar 2027. Në dekret u shpall që në çdo kishë françeskane në botë: brenda këtij viti mund të fitohet NDJESA E PLOTË (Indulgjenca). Edhe në trojet tona shqiptare kemi Familjen Françeskane që shërben prej shekujsh, me devotshmëri dhe përvujtëri. Prandaj çdo kishë françeskane që ndodhet në vendin tonë, do të jenë kisha jubilare, ku mund të fitohet Ndjesa e Plotë.
Në kishën e Shën Françeskut, Gjuhadol- Shkodër, me date
26 janar 2026: u hap Viti Jubilar zyrtarisht. U kremtua Mesha e Shenjtë në orën 17:00 nga Mons. Giovanni Peragine, Arqipeshkëv i Arkidioqezës Metrpolitane Shkodër- Pult. Bashkëkremtuan: Mons.
Ionut Paul Strejac, I Ngarkuari me Punë i Ambasadës së Selisë së Shenjtë në Shqipri, Patër Pashko Gojçaj, Provinciali i Provincës Françeskane "Zoja Nunciatë" në Shqipri- Mali i Zi dhe At Marino
Tarantino, Administrator i Dioqezës së Sapës. Të pranishëm ishin fretërit e provincës tonë, meshtarë të dioqezave të ndryshme të Shqipërisë, dhe besimtarë të shumtë nga famulli të ndryshme të
dioqezës së Shkodrës.
Pas shpalljes së Ungjillit të Shenjtë, Mons. Giovanni mbajti predikimin, ku ai tha:
Të dashur vëllezër e motra,
me këtë kremtim eukaristik dëshirojmë të falënderojmë Zotin, i cili vazhdon të na mbushë me dhuratat e Tij dhe të ecë me ne në histori. Është Ai që na shoqëron me praninë e Tij besnike dhe që sot na mbledh për të nisur Vitin Jubilar françeskan, në 800 - vjetorin e vdekjes së Shën Françeskut. Këtë do ta bëjmë me një gjest të thjeshtë, por plot domethënie: ndezjen e një llambe që do të qëndrojë e ndezur gjatë gjithë vitit, shenjë e një drite që nuk duhet të shuhet dhe e një zjarri që jemi të thirrur ta ruajmë dhe ta ringjallim vazhdimisht.
Në leximin e dytë që kemi dëgjuar, Apostulli Pal, duke i shkruar Timoteut, e fton pikërisht për këtë: «Po të kujtoj ta rindezësh dhuratën e Hyjit që është në ty» (2 Tim 1,6).
Nuk bëhet fjalë për të shpikur diçka të re, por për t’u kthyer te thelbësorja, për të fryrë mbi dhuratën e marrë që të mos shuhet e të mos shndërrohet në hi. Çdo thirrje, çdo karizëm, çdo udhë besimi e mbart këtë rrezik: të humbasë zjarrin e brendshëm që në fillim na vuri në lëvizje. Prandaj Fjala e sotme na fton ta rindezim zjarrin e dashurisë dhe ta jetojmë këtë kohë si një fillim vërtet të ri.
Në të njëjtin drejtim shkon edhe Dekreti Apostolik, i shpallur me rastin e 800 - vjetorit të vdekjes së Shën Françeskut. Kisha na kujton se ky Vit Jubilar nuk është një kremtim i jashtëm, por një kohë e volitshme për kthim, për pajtim me Hyjin dhe me vëllezërit, për një besnikëri të ripërtërirë ndaj Ungjillit përmes lutjes, pendesës dhe veprave të mëshirës. Hiri, i dhuruar në këtë Vit të Shenjtë, nuk është automatik: ai lidhet me një ecje të vërtetë të ndryshimit të zemrës dhe të jetës.
Kjo ftesë sot tingëllon në mënyrë të veçantë për ju, vëllezër françeskanë, për gjithë Familjen françeskane dhe për të gjithë ne. Karizma që Shën Françesku e mori dhe ia transmetoi Kishës nuk është një trashëgimi për t’u ruajtur me xhelozi, por një dhuratë për t’u ringjallur, për t’u jetuar dhe për t’u ofruar sërish. Shën Françesku, në vitet e fundit të jetës së tij, kur udha e tij ishte e shënuar nga brishtësia dhe vuajtja, u thoshte shpesh fretërve: «Le të fillojmë, o vëllezër, t’i shërbejmë Zotit, sepse deri tani kemi bërë pak ose asgjë».
Nuk janë fjalë dekurajimi, por të të vërtetës ungjillore. Françesku nuk e mohonte të mirën e bërë, por nuk kënaqej me atë që kishte arritur; gjithmonë kërkonte më shumë. Përballë Ungjillit nuk mund të ndihemi kurrë të mbërritur: çdo hap i bërë bëhet një fillim i ri, çdo arritje një thirrje për t’u nisur përsëri.
Kjo fjalë sot është një nxitje për ju, bij të Shën Françeskut, por edhe për të gjithë ne, për Kishën tonë. Rreziku për t’u rehatuar është real. Në kontekstin tonë kishtar, duke parë të kaluarën, me të drejtë do të jemi krenarë për kujtesën e martirëve, ashtu si edhe kujtojmë me mirënjohje vrullin misionar të viteve të ringjalljes.
Por nëse kujtesa nuk shndërrohet në profeci, ajo përfundon duke u kthyer në ngurtësi. Dhe një Kishë që ndalet, dalëngadalë shuhet. Një Kishë që kënaqet vetëm duke ruajtur të kaluarën, humbet gradualisht zjarrin e shpalljes.
Nuk është e kaluara, sado e lavdishme të jetë, as kujtimi ai që na shpëton, por besnikëria krijuese ndaj Shpirtit Shenjt sot. Sepse një Kishë që nuk rifillon nga Ungjilli rrezikon të mbijetojë, por jo të gjenerojë jetë.
Ungjilli sipas Lukës na çon në zemrën e Darkës së Fundit dhe, njëkohësisht, në zemrën e përshpirtërisë françeskane. Nxënësit diskutojnë se kush është më i madhi, por Jezusi përmbys rrënjësisht kuptimin e bashkësisë dhe të autoritetit: «Unë jam në mes jush si ai që shërben» (Lk 22,27).
Në Mbretërinë e Hyjit madhështia nuk kalon përmes pushtetit, por përmes shërbimit; jo përmes të parit, por përmes të qenit i fundit; jo përmes sundimit, por përmes dhurimit të jetës. Është një logjikë e përmbysur, që kërkon të pranohet dhe të jetohet.
Shën Françesku i mori seriozisht këto fjalë të Jezusit. Duke menduar për vëllazërinë, ai deshi një bashkësi pa privilegje, një Kishë të varfër dhe shërbyese, një jetë ungjillore të jetuar në thjeshtësi dhe gëzim. Prandaj ai mund të thoshte me të vërtetë: «Zoti më dha vëllezër».
Prania e fretërve françeskanë dhe e karizmës së Shën Françeskut në qytetin e Shkodrës është një prani historike që ka shënuar thellë jetën fetare, kulturore dhe shoqërore të këtij qyteti dhe të këtij vendi.
Ju themi faleminderit për dëshminë e dhënë përmes misionit, edukimit, kujdesit për të varfrit, dashurisë për kulturën dhe afërsisë me njerëzit e thjeshtë.
Kjo tokë ruan edhe kujtesën e çmuar të shumë fretërve martirë, të cilët e ringjallën dhuratën e marrë deri në dhurimin e plotë të jetës. Besnikëria e tyre mbetet një dritë që edhe sot ndriçon udhën e Kishës sonë.
Por Viti Jubilar që sot po nisim është një thirrje për të sotmen. Për ju është një kohë e volitshme për t’u rritur në bashkim, për ta forcuar vëllazërinë mes jush dhe për t’u ndier gjithnjë e më shumë pjesë e gjallë e kësaj Kishe Dioqezane. Llamba që do të ndezim ju kujton se jeni dritë dhe zjarr i gjallë: dritë që orienton dhe shoqëron, zjarr që ngroh zemrat dhe ringjall shpresën. Sepse është dëshmia e jetës, para fjalëve, ajo që e bën të besueshme shpalljen e Ungjillit.
I lutemi Zotit që ky Vit Jubilar ta ndihmojë secilin prej nesh ta ringjallë dhuratën e Hyjit që është në ne, që flaka të mos shuhet dhe drita të mos zbehet. Dhe, me Shën Françeskun, lutemi të jemi vegla paqeje, bashkimi dhe shprese, që Kisha e Shkodrës të vazhdojë të ndriçohet nga Ungjilli i jetuar me gëzim dhe thjeshtësi. Amen.
Në përfundim të Meshës së Shenjtë, Mons. Giovanni ndezi llamben Jubilare nga qiriu i Pashkëve, i cili do të qëndroj i ndezur gjatë gjithë vitit Jubilar. Në përfundim, Fra Gazmend Tinaj Rektori i kishës së Shën Françeskut Gjuhadol, falenderoj Mons. Giovannin, për kremtin solemne dhe për fjalët vëllazërore që na drejtoj, të gjithë meshtarët dhe besimtarët që ishin të pranishëm në bashkëndarjen e këtij momenti shumë të rëndësishëm për familjen françeskane. Në fund falenderoj edhe korin e Kishës, të cilët me zërin e tyre të mrekullueshëm, e zbukurojn çdo kremtim në atë kishë.
Teksti: Fra Sergjo Jaku
Foto: Fotostudio Nenshati