Në muajin shkurt të vitit 2020 është botuar numri i ri i revistës “Hylli i Dritës”, nr. 2/2019. Ky numër i ri i kësaj reviste ka gjithsej 323 faqe dhe është i ndarë në tematika, të cilat i përkasin fushave të ndryshme, ku ndër të tjera kemi: histori, letërsi, gjuhësi, arkeologji dhe filozofi-sociologji. Tematika kryesore është 800-vjetori i Urdhrit Françeskan në Shqipëri.
Dhe e veçanta e këtij botimi është bashkëngjitja e kumtesave të ndryshme të bëra gjatë konferencës shkencore të organizuar në Shkodër, më 09 nëntor 2019, me rastin e 800-vjetorit të françeskanëve në mes të shqiptarëve. Ky numër hapet me kumtesën e fra Vitor Demës me titullin “800-vjetori i Urdhnit Françeskan në Shqypni, 1219-2019”. Më pas në fushën historike vazhdojnë Edmond Malaj me “Françeskanët në Shkodër e rrethina gjatë Mesjetës dhe shekujve të parë të pushtimit osman”, Aljula Jubani me “Atë Marjan Prelaj, frati që i shërbeu historisë nëpërmjet dokumentimit të së vërtetës”, Evalda Paci me “Jeta dhe bëmat e Gjergj Kastriotit (Skëndërbeut) në gjurmimet e etërve françeskanë shqiptarë” dhe Bardhyl Demiraj me “Sinode dioqezane dhe vizita apostolike në Ipeshkëvinë e Shkodrës gjatë shek. XVIII dhe në fillim të shek. XIX”. Pastaj në fushën e letërsisë gjejmë Kujtim M. Shalën me “Fretënt e mdhaj”, Tringë Dukagjinin me “Në kërkim të kohës së humbun”, Arben Prendin me “Vepra memoaristike e At Zef Pllumit model i letërsisë dëshmuese”, Ledri Kurtin me “Një udhë përmes ravgimeve drejt dritës dhe dijes së një kombi” dhe Alfren Çapalikun me “Syzime rreth poemës lirike “Këngëtorja arbërore” të Françesk Anton Santorit”. Në fushën e gjuhësisë vazhdojnë David Luka me shkronjën M të marrë nga fjalori etimologjik i gjuhës shqipe, Vinçens Marku me “Prania e terminologjisë françeskane te fjalorët e gjuhës shqipe të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”, Anisa Kosteri–Zamira Shkreli me “At Benedikt Dema, mbledhësi dhe hulumtuesi i fjalës shqipe” dhe Bora Logu me “Kontributi i At Justin Rrotës në Sintaksën Shqipe”. Në fushën arkeologjike janë Gëzim Hoxha dhe fra Sergio Gazzea me “Dëshmi arkeologjike mesjetare mbi praninë françeskane në kishën e Draçit në Ishëm”, ndërsa në fushën filozofiko-sociologjike gjejmë Melsen Kafilajn me “Për një filozofi publike në shoqërinë shqiptare”.
Shkrimtarët françeskanë zënë vendin e parë te kërkimet shkencore të studiuesve duke sjellur njohuri të reja rreth veprës dhe kontributit të tyre shpirtëror dhe shkencor.
Gjithashtu në këtë numër gjejmë edhe një pjesë të librit të Isaisë profet, të përkthyer në gjuhën shqipe (dialekti gegë) nga At Daniel Gjeçaj. Shkrimi i Shenjtë, përkthim brilant i At Daniel Gjeçaj, vazhdon të botohet pjesë-pjesë në revistën Hylli i Dritës. Dhe kështu, Hylli vazhdon të shkëlqejë në qiejt e kulturës shqiptare.
Në fund gjejmë disa nga veprimtaritë kulturore të françeskanëve të zhvilluara kohët e fundit (Mesha në kishën e Shën Françeskut më 04 tetor 2019, Përkujtime kulturore në kuvendin françeskan të Zojës Nunciatë në Lezhë dhe konferenca shkencore në Gjuhadol, Shkodër). Një rëndësi të posaçme ka edhe botimi për herë të parë në gjuhën shqipe i punimit: Skicë historike mbi veprën e françeskanëve në Shqipëri. Ky punim ka qenë botuar në gjuhën italiane në vitin 1930 dhe ishte përkthyer shqip nga Àt Daniel Gjeçaj.
Hylli i Dritës vazhdon të jap kontribute të rëndësishme në fusha të ndryshme të shkencave historike, gjuhësore dhe kulturore duke dhënë ndihmesa cilësore të zhvillimit të dijeve në vendin tonë.
Numri i ri i kësaj reviste kushton 600 lekë (të reja) dhe gjendet në librarinë “At Gjergj Fishta” në Shkodër si dhe në librarinë “Albania” në Tiranë. Në librarinë “Albania” në Tiranë gjenden të gjitha botimet françeskane.
Teksti: Fra Lorenc Pepniku