Panairi i librit "LIBRI TË BAN TË LIRË"

Më datë 5-7 qershor u zhvillua panairi i parë i librit në qytetin e Shkodrës e titulluar “Libri të ban të lirë”. U organizua nga Katedralja e Shkodrës ku dhe në ambjentet e jashtëm të saj u zhvillua edhe panairi. Qëllimi i këtij panairi ishte që të afrohet më tepër libri me qytetaret, pasi në kohët e sotme që jetojmë nuk preferohet shumë që të shfletohet ndonjë libër .Të pranishëm në këtë panair ishin 20 shtëpi botuese nga Shqipëria dhe Kosova, ku njeri nga shtëpitë botuese ishin të pranishëm edhe Botimet Françeskane.

 

"BOTIMET FRANÇESKANE" vijnë në këtë panair me traditën e tyre të botimeve, të nisur që me shtypshkrimin në Shtypshkronjën Françeskane të vitit 1916, që siç thotë Pater Benedikt Demaj në artikullin Shtypi Françeskan në Shqipní, te revista “Hylli i Dritës”, kje bâ - me botime gjithnduersh – voter kulture fetare e kombtare per Vendin t’onë. Kjo shtypshkronjë merr emrin e Fratit, POETIT KOMBËTAR, Át Gjergj Fishta, O.F.M., mbas vdekjes së tij, si shenjë nderimi prej bashkëvllazënve.

 

Rinis kjo veprimtari mbas viteve të gjata të mundimeve nën dhunën e diktaturës, të martirizimit të meshtarëve nga kjo kohë e zymtë dhe e errët që do mbetet në histori si damkë e plagës së shkaktuar me dashje kundrejt besimit, dijes dhe atdheut. Është "Frati i Kujtesës", Át Zef Pllumi. O.F.M., që e rimerr mbi supe barrën e vazhdimësisë së kësaj tradite të ndërprerë brenda trojeve shqiptare, por të ruajtur si thesar prej Fretërve që jetuan jashtë tyre. Kontributi i çmuar i Át Daniel Gjeçaj, O.F.M., Át Jakob Marlekaj, O.F.M., Át Paulin Margjokaj, O.F.M. si edhe Át Vincenc Malaj, O.F.M. ishte ky që e mbajti në jetë veprimtarinë krijuese e studimore në fusha të ndryshme të Fretërve në mërgim, duke ruajtur kështu edhe të drejtën e tyre të botimeve si etër françeskanë.

 

“Lahuta e Malcís”, Át Gjergj Fishta, O.F.M., “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Át Shtjefën K. Gjeçovi, O.F.M., “Skanderbegu mbas gojdhanash”, Át Marin Sirdani, O.F.M., “Kangë Kreshnikësh dhe legjendash” si pjesë e Visarit Kombëtar, Át Bernardin Palaj, O.F.M., dhe Át Donat Kurti, O.F.M., “Kângë Popullore Gegnishte”, Át Vinçenc Prennushi, O.F.M., “Vlerë shpirtërore”, Át Anton Harapi, O.F.M., “Nji monument historik pazotsije në lamë t’arsimit në Shqypní”, Át Ambroz Marlaskaj, O.F.M., “Për historín e Alfabetit Shqyp”, Át Justin Rrota, O.F.M., duke mos lënë pa i përmendur veprat si “Agimi i Gjytetniis”, “Mrizi i Zânavet”, “Vallja e Parrizit”, “Prrallat Kombtare”, “Letratyra shqype”, “Gramatika latine”, “Gjeth e Lule”, “Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1040”, etj., etj. vepra që ribotohen edhe sot nga Botimet Françeskane në mënyrë anastatike, d.m.th, ashtu siç janë botuar në fillim këto vepra po prej Fretërve.

 

Nuk duhen harruar as vazhdimi i botimit të revistës kulturore “Hylli i Dritës” e themeluar në vitin 1913 prej Pater Gjergj Fishtës. Kontributi i madh edhe i sivllazenve si Pater Pashko Bardhi, Pater Pal Dodaj, Pater Shtjefën Gjeçovi, Pater Vincens Prennushi, Pater Ambroz Marlaskaj, Pater Anton Harapi, Pater Benedikt Dema, Pater Bernardin Palaj, Pater Marin Sirdani, Pater Donat Kurti, Pater Justin Rrota, Pater Marjan Prelaj, Pater Klement Miraj, Pater Bernardin Llupi, Pater Rrok Gurashi si edhe të tjerë sivllazën që shkruan në këtë revistë.

Ishte kjo revistë letrare, filozofike e ditunore që për nga rëndësia konkurronte qetësisht me çdo të përkohshme letrare evropiane. Historiku i saj lidhet ngushtë me angazhimin kulturor e studimor si edhe zhvillimeve të fazave të ndryshme të historisë së vendit tonë.

Po kështu edhe revista “Zâni i Shna Ndout”, me zanin e Shêjtit të Mrekullive tingëlloi brenda të gjithë familjeve me çka ajo paraqiti për të gjithë.

Stendēn e "Botimeve Françeskane" e gjeni të vendosur pranë statujës së Kardinalit Mikel Koliqi.

Aty janë vendosur botimet jubilare si kolana speciale në nderim të Fretërve, që binomin "Për Fe dhe Atdhe" e dhanë me shembullin e vetë jetës së tyre. Kolanat e autorëve si Át Gjergj Fishta, O.F.M., Át Anton Harapi, O.F.M., Át Donat Kurti, O.F.M., Át Zef Pllumi, O.F.M., si edhe kolanën për 800 – vjetorin e Fretërve në Shqipëri.

 

Çdo vit botohen vepra të reja e po rendisim këtu disa prej këtyre botimeve dhe ribotimeve të fundit si: Kanuni i Skanderbegut Imzot Frano Ilia, Burgjet e mija Dom Simon Jubani, Cinarët Át Konrad Gjolaj, Historija e Luftës me Malin e Zi Át Bernardin Llupi, Shkollë e Dituni Át Ambroz Marlaskaj, Fjalori i shtjelluem i gjuhës shqipe si edhe Fjalori Historik, Gjeografik dhe Mitologjik i “Lahutës së Malcís”, Át Benedikt Dema, Krishtërimi i hershëm në Provincat Praevalis dhe Dardania si edhe Dëshmi arkeologjike të krishterimit mesjetar në Shqipërinë e Veriut, Gëzim Hoxha, Opere – Vepra, Leonardo De Martino nën kujdesin e Matteo Mandalà, Vrojtimet Historike, Át Pal Dodaj si edhe botimin anastatik të Codice di Lek Dukagjini të përkthyer prej po këtij Frati. Fjalori Toponomastik dhe Shkrime të tjera Dom Nikoll Gazulli, Fjalë Ári I Lumi Aleksandër Sirdani, Bestytní I Lumi Ndoc Suma,

 

Gjithashtu për nga vlera dhe rëndësia po përmendim Kontribut për historinë e kulturën shqiptare Át Marin Sirdani, Bota e Maleve Át Berndin Palaj, Gjergj Fishta jeta dhe vepra Át Daniel Gjeçaj, Kuvendi i Arbnit Át Vinçenc Malaj, Historija e Popullit Shqiptar Át Paulin Margjokaj, Gjurmime filologjike mbi latinitetin dhe shkrimet e vjetra shqipe, Evalda Manovi, Hulumtime mbi historinë e krishtërimit në Shkodër e rrethina gjatë Mesjetës, Edmond Malaj, Michellanea I “Albania”, Mischellanea II “Hylli i Dritës”, Mischellanea III “Zâni i Shna Ndout” të Át Pashko Bardhit.

 

Teksti: Shqipe Marku

Fotot: Fotostudio Nenshati