Një ndër festat e shumta që Kisha ia kushton Zojës së Bekuar është ajo e lindjes së saj. Nga tradita jashtë-biblike na dëftohet se prindërit e Marisë kanë qenë Ana dhe Joakimi, festa e të cilëve kremtohet më 25 korrik në traditën lindore dhe më 26 korrik në traditën perëndimore. Kisha katolike përkujton lindjen e Marisë më 8 shtator. Festa e lindjes së Zojës njihet ndryshe edhe me emrin “Zoja e Vogël”, duke pasur parasysh se me “Zojë të Madhe” nënkuptohet Ngjitja e Marisë në Qiell. Lindja e Marisë lidhet ngushtë me ardhjen e Mesisë si premtim, përgatitje dhe fryt i shëlbimit.
Në Shqipëri një ndër kishat që i kushtohet “Lindjes së Zojës” është kisha që gjendet në famullinë e Troshanit, në të cilën shërbejnë etërit françeskanë. Me rastin e festës së famullisë është kremtuar mesha solemne në orën 17:30 nga provinciali i Provincës françeskane shqiptare “Zoja Nunciatë” fra Pashko Gojçaj. Bashkëkremtues ishte famullitari i kësaj famullie fra Fran Përlala dhe famullitari i famullisë “Zoja Nunciatë” në Lezhë fra Valentin Rroku. Gjatë predikimit fra Pashku ndër të tjera vuri theksin te çështja e thirrjeve të shenjta, të cilat sidomos kohëve të fundit kanë rënë ndjeshëm. Prandaj ftoi të gjithë që t’i luten veçanërisht Zojës së Bekuar për thirrje të shenjta, gjë të cilën mund ta realizojnë nëpërmjet lutjes personale, familjare, rruzares etj.
Në fund të meshës fra Frani falënderoi provincialin për praninë e tij, të pranishmit si dhe korin, e u uroi të gjithëve festën e Zojës.