Qendra e vitit liturgjik është Treditëshi i Pashkëve, gjatë të cilit përkujtojmë mundimin, vdekjen e ngjalljen e Jezu Krishtit. Çdo moment dhe pjesë e këtij Treditëshi ka një rëndësi të madhe dhe domethënie të veçantë për secilin të krishterë nëpër botë. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe përgatitjes për të kremtuar denjësisht këtë Treditësh. Dhe kur bëhet fjalë për përgatitje nuk i referohemi vetëm pjesës së jashtme, por mbi të gjitha asaj që gjendet në brendësi të çdo personi.
Për ta bërë këtë përgatitje sa më të frytshme, fretërit me kushte të përkohshme të Provincës Françeskane Shqiptare së bashku me mësuesin e tyre fra Nunzio Catania kanë organizuar një tërheqje shpirtërore 3 ditore në Bizë. Ata kanë mbërritur atje ditën e hënë, më 29 mars 2021, e kanë qëndruar deri më 31 mars. Gjatë këtyre ditëve fra Nunzio dhe fra Flavio Cavallini kanë mbajtur disa meditime për fretërit. Në secilën ditë ka pasur momente të posaçme për reflektim, bashkëndarje, meditim si dhe vëllazëri.
Në një nga meditimet e mbajtura gjatë tërheqjes, fra Flavio shtjelloi në mënyrë të hollësishme një pjesë nga Burimet Françeskane të titulluar “Përshëndetje virtyteve”. Ai vuri theksin sidomos tek lufta e vazhdueshme që duhet të bëjë secili njeri me veten dhe me të tjerët për qenë i virtytshëm.
Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku