Kuvendi i Zojës Nunciatë

                                                                                                                                                                                        Guardianat. Famulli. Noviciat.

Kuvendi françeskan, së bashku me kishën françeskane të Zojës Nunciatë në Lezhë, është themeluar që në vitin 1240. Aty ishte edhe qendra e Provincës françeskane të Zojës Nunciatë.

 

Në Lezhë vdiq Gjergj Kastrioti Skënderbeu (me 17.01.1468) dhe u varros në kishën katedrale të Shën Nikollës. Pas vdekjes së tij, në vitin 1478 turqit e pushtojnë Lezhën dhe e dëmtojnë kuvendin dhe kishën. Shpeshherë edhe më vonë e kanë djegur, por fretërit gjithmonë e rindërtonin dhe edhe më tutje qëndronin aty, duke e shërbyer popullin e krishterë të Lezhës dhe të rrethinës.

 

Në fund të shekullit XIX (në v. 1897) arritën ta ndërtonin edhe kumbonaren, gjë që në shekujt e mëparshëm turqit nuk e toleronin.

 

Ndërmjet dy luftërave botërore Lezha merrte frymë më lirshëm dhe zhvillohej qetësisht. Në atë kohë (në vitin 1933) u ndërtua edhe kuvendi i ri, sipas projektit të p. Gjergj Fishtës.

 

Pas Luftës II botërore komunistët e kthyen Kuvendin në Spital pediatrik. Më 13.10.1946 e arrestojnë famullitarin, të lumin Atë Serafin Koda, i cili vdiq ndër tortura, më 11 maj 1947.

 

Pikërisht para 50 vjetëve, më datën 06. 02. 1967, me vendim të diktatorit Enver Hoxha, u mbyllën të gjitha Kishat në Shqipëri. Kisha e Zojës Nunciatë është e para Kishë që mbyllet në saje të këtij dekreti. Kishën e kthejnë në stallë dhe ofiçinë. Ka funksionuar edhe si repart ushtarak.

 

Sipas dëshmive, rreth vitit 1970 e rrëzojnë kumbonaren, duke u munduar kështu që të zhdukin shenjë Kishe në Lezhë.

 

Më datën 03. 03. 1991 Atë Leon Kabashi, i ndihmuar prej një grupi besimtarësh, kremton Meshën e parë për turmën e madhe të popullit, të bashkuar me entuziazëm dhe devocion të paparë. Kjo Meshë e hoqi frikën prej zemrave të besimtarëve.

 

Në vitet 1992-1993 është restauruar kisha dhe kuvendi, duke i dhënë formën e duhur, si ambient kulti dhe takimi me Zotin.

 

Prej vitit 1993-1998 në këtë kuvend ishte edhe shtëpia e Noviciatit.

 

Më 06. 02. 1996 Imzot Angelo Massafra, OFM, e shuguron kishën e restauruar.

 

Në vitin 2010 ndërtohet çatia e re e Kishës dhe restaurohet Kisha përbrenda, ndërsa në vitin 2016 ndërtohet rishtas çatia e kuvendit dhe kryhen disa punime të tjera.

 

Në vitin 2016 prapë është hapur shtëpia e Noviciatit në Lezhë.

Familja Rregulltare

 

Fra VALENTIN RROKU, Guardian, Famullitar, Asistent lokal OFS.

 

Fra FRAN PËRLALA, Vikar i kuvendit, Ekonom i kuvendit, Administrator i famullisë se Lindjes se Zojës së Bekuar ne Troshan (bashkë me Fishtën), Përgjegjës për Shërbimin ndaj të burgosurve.

 

Fra FRANÇESK LEKNIKAJ, Sakristan.      

 


Kuvendi “Zoja Nunciatë

4500 Lezhë