Të dielën, më datën 22 dhjetor 2019, në orën 18:00, në Kishën e shën Françeskut në Gjuhadol/Shkodër, në vazhdimin e aktiviteteve të shfaqur nga “Shoqnia Kulturore Illyricum - miq të shën Françeskut”, u shfaq koncerti "Âsht Krishtlindje".
Ishte kori “Àt Marjan Prela” nga famullia e shna Ndout në Tuz (Mali i Zi), të cilët në pranin e mons. Angelo Massafra, arqipeshkëv i Arqipeshkvisë Shkodër - Pult, të nderuarit Àt Aurel Gjerkaj, provincial i Provincës Françeskane Shqiptare, guardianit dhe famullitarit të Tuzit, Àt Pashko Gojçaj, e shumë artdashësve të tjerë të cilët me vëmendje e përcjellën këtë koncert, dhe e bënë madhështore mbrëmje festive të Krishtlindjes më këngët: “Eni popuj me hare”, “Adelste fideles”, “Ave Maria”, “Bota mbare”, “Shejtja Nate”, “What Child is This” dhe “Gaudete”.
Kori nën drejtimin e m. Lidvina Marku, përbëhej nga tridhjetë anëtar, i përcjellur në orkestër: Marko Camaj, piano; Mateo Nicaj & Irena Ivezaj, violin; Donika Ivezaj & Loreta Junçaj, klarinetë ndërsa solistët ishin: Valentina Berishaj, Leon Pllumaj dhe Maria Camaj.
Ndërsa ishin anëtarët e Shoqnisë Illyricum: Paulin Ujka, Nikolin Ferketa, Alketa Verri dhe Tomazin Delija të cilët interpretuan vargje kushtuar Krishtlindjes: “Krishtlindje në Shkodër”, “Erdhi Mesia”, “Flën Mesia”… , “Âsht Krishtlindje”.
Koncerti i cili u transmetua drejtpërdrejt edhe në TV “Star Plus”, ishte një bashkëpunim i veçantë mes korit “At Marjan Prela” dhe Shoqnisë Kulturore Illyricum.
Në fund të koncertit përveç mons. Angelo Massafra e Àt Pashko Gojçaj, përshëndetjet dhe urimet për festën e Krishtlindjes në emër të bashkësisë françeskane në Gjuhadol i dha edhe guardiani - rektori i Kishës së shën Françeskut në Gjuhadol Àt Aleksandër Tanushi i cili është edhe asistenti i Shoqnisë Kulturore Illyricum.