Një veçori e festave të fundvitit është marrja dhe dhënia e dhuratave të ndryshme, të cilat mund të jenë diçka materiale, një lajm i mirë, plotësimi i një dëshire apo edhe një bashkim familjar. Për dy fretërit e rinj me kushte të përjetshme të Provincës Françeskane Shqiptare dhurata për këto festa ishte marrja e Lektoratit. Shërbesa e Lektoratit së bashku me atë të Akolitatit përbëjnë atë që më përpara quhej Subdiakonati, pra një parapërgatitje për Diakonatin. Shërbesa e Lektoratit i jep, atij që e merr, të drejtën e leximit të Fjalës së Zotit në meshë ose në publik dhe shpalljen e saj.
Riti i marrjes së Lektoratit u bë në kapelën e martirëve, tek kisha e Shën Françeskut në Gjuhadol, më 23 dhjetor 2019, pikërisht një ditë para Vigjiljes së Krishtlindjeve. Udhëheqësi i këtij riti ishte arqipeshkvi i Arqidioqezës së Shkodër-Pultit, mons. Angelo Massafra. Ai në homelinë e shkurtër që bëri tha se lektorët duhet me të vërtetë ta vlerësojnë këtë shërbesë dhe në leximin e Fjalës së Zotit duhet të jenë të qartë, të ngadalshëm dhe të kuptueshëm, pasi ata bëhen mjeti, të cilin Zoti e përdor për të shpallur fjalën e tij. Lektorët e rinj të cilët e morën këtë shërbesë ishin fra Kastriot Demaj dhe fra Jak Kolgjeraj.
Riti u zhvillua gjatë Mbrëmësores së Nëntëditëshit të Krishtlindjeve. I pranishëm ishte provinciali i Provincës Françeskane Shqiptare, fra Aurel Gjerkaj; mësuesi i klerikëve me kushte të përkohshme, fra Ilija Kovačević së bashku me klerikët; guardiani i kuvendit të Shën Françeskut, fra Aleksandër Tanushi si dhe novicët nga Lezha së bashku me mësuesin e tyre, fra Marko Ešegović.
U bëjmë urimet tona fretërve për shërbesën e Lektoratit dhe u urojnë një ecje sa më të mbarë në vazhdim.
Teksti dhe fotot: Fra Lorenc Pepniku