Autonomia juridike e Manastirit “Shën Kjara”

Me datën 30. 09. 2019, në një nga vendet që regjimi komunist është munduar të shtypë dhe të varrosë fenë katolike, u festua një ringjallje e fortë e besimit dhe shpresës te Zoti. Bëhet fjalë për lulëzimin e manastirit më të ri të motrave klarise, të cilat i përkasin Urdhrit të dytë franceskan. Motrat kanë ardhur në Shqipëri në vitin 2003 dhe fillimisht janë vendosur në fshatin e Paqes (Shkodër). Më pas janë zhvendosur në qendër të qytetit të Shkodrës, ku dikur ishte Kolegji serafik i franceskanëve.

 

Vetëm para pak kohe motrat klarise kanë zhvilluar kapitullin e parë, në të cilin kanë zgjedhur abateshën, vikaren si dhe këshilltaren, duke dëshmuar kështu se janë një manastir i mirëfilltë si të gjithë manastiret e tjera të motrave klarise. Ndërsa sot iu dorëzua dekreti i autonomisë juridike të manastirit Shën Kjara. Nuk mund të lihet pa përmendur prania e arqipeshkvit José Rodríguez Carballo, i cili ka ardhur nga Italia për t’i dorëzuar motrave klarise këtë dekret. Imzot José ka qenë ministër gjeneral i Urdhrit franceskan për 10 vjet (2003 – 2013) dhe në vitin 2013 u emërua nga papa Francesku, Sekretar i CIVCSVA-së (Kongregatës për Institutet e Jetës së Shuguruar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike).

 

Programi në këtë ditë është ndalur në dy momente kryesore. Në fillim ka qenë takimi që ka bërë arqipeshkvi José Carballo me të kushtuarit\et e vendit tonë. Takimi është zhvilluar në orën 16:00 dhe u dallua për pjesëmarrjen e gjerë të meshtarëve, motrave, seminaristëve, fretërve, etj. Në këtë takim arqipeshkvi José foli shumë bukur mbi jetën e kushtuar (shuguruar), se si ka qenë ajo më përpara, problemet aktuale, sfidat si dhe perspektivat për të ardhmen.

 

Ndër të tjera ai tha: “Jeta e kushtuar mund të krahasohet me një pemë në kohën e krasitjes. Ashtu siç pema ka nevojë të krasitet dhe të pastrohet nga pjesët e panevojshme ose të tepërta, ashtu edhe jeta e kushtuar duhet të pastrohet nga të gjitha ato gjëra që nuk e lejojnë të ecë përpara. Prandaj tani është koha të veprojmë dhe të krasisim tërë ato gjëra, që na pengojnë rrugën tonë.”

 

Pastaj momenti i dytë ishte Mesha e shenjtë në orën 18:00. Ajo u hap me leximin e Dekretit të miratuar nga CIVCSVA, ku sipas këtij dekreti motrat klarise kalojnë nga manastiri i Shën Nikollës në Otranto te manastiri i Shën Kjarës në Shkodër. Menjëherë pas kësaj mons. Angelo Massafra, arqipeshkvi metropolit i Dioqezës Shkodër-Pult, ia dorëzoi abateshës Sonia Giustizieri këtë dekret e më pas falendëroi imzot Carballo-n për praninë e tij. Më pas falendërime dhe urime pati edhe nga ana e imzot Carballo-s për bashkësinë e motrave klarise, ipeshkvinjtë e pranishëm, Nuncin apostolik, Charles John Brown, rregulltarët dhe rregulltaret si dhe të gjithë popullin e Zotit. Ungjilli u lexua nga atë Artan Seli, i cili është kancelari i Arqidioqezës Shkodër-Pult si dhe president i Konferencës Shqiptare të Eprorëve të Lartë (K.Sh.E.L), ndërsa predikimi nga vetë arqipeshkvi Carballo, të cilin e ka ndihmuar me përkthimin nga gjuha italiane në atë shqiptare, fra Aurel Gjerkaj, provinciali i Provincës françeskane shqiptare. Imzot Carballo shprehu gëzimin e tij për këtë manastir të klariseve. Ai gjithashtu gjatë predikimit dha disa këshilla të vlershme për të gjithë. Ai tha: “Ka ardhur koha që jeta e kushtuar të rilindë sërish. Dhe këtë gjë mund ta bëjmë vetëm duke e jetuar me gëzim të tashmen në mënyrë që ta përqafojmë me shpresë të ardhmen. E kjo do të jetë e mundur nëse e marrim Ungjillin si udhëzues, e jo si ideologji.”

 

Në fund të Meshës së shenjtë e mori fjalën fra Aurel Gjerkaj, i cili frazoi një shprehje tipike shqiptare: “Kjoft me jet t’gjat”, duke i uruar kështu motrave klarise dhe mbarë Kishës në Shqipëri një jetëgjatësi sa më të madhe të këtij manastiri. Menjëherë pas meshe të gjithë së bashku u mblodhëm tek oborri i manastirit të motrave, ku ishte organizuar një koktej. 

 

Fra Lorenc Pepniku