Vigjilja e festës së martirëve

Të hënën me 4 nëntor në Vigjiljen e festës liturgjike të t’Lumit Imzot Vinçenc Prennushit dhe 37 Shokëve martirë, u kremtua Mbrëmësorja e parë përkujtimore, me liturgjinë e Dritës.

 

Në praninë e meshtarëve, rregulltareve e rregulltarëve dhe shumë besimtarëve të Shkodrës, Lutjen e Mbrëmësores e drejtoi arqipeshkvi i Arqipeshkvisë Shkodër – Pult, mons. Angelo Massafra OFM, e cila filloi te Manastiri i shën Kjarës, me saktësisht brenda te ish-dega e brendshme, aty ku ishte fabrikë vdekjeje dhe torturash, u ndez qiriu i Pashkëve, prej te cilit të gjithë ndezëm qirinjtë tanë.

 

Procesion filloi nga oborri i motrave Klarise dhe vazhdoj nga dera që çon tek  motrat  Stigmatine. Ajo derë quhej dera e vdekjes, sepse nga ajo derë dilje ose për tu pushkatuar ose dilje i vdekur. Mbrëmësorja vazhdoi në Kishën e motrave Stigmatine, aty ku gjëndet edhe trupi i së Lumës Marie Tuci, dhe përfundoi në Kishën e shën Françeskut në Gjuhadol, aty ku pushon trupi i të Lumit Gaspër Suma.

 

Gjatë predikimit mons. Angelo na foli mbi jetën dhe dëshminë e martirëve dhe procesin e lumnimit të tyre që ndodhi me 5 nëntor 2016 në Katedralen e shën Shtjefnit në Shkodër. Po ashtu përkujtoi se data 4 nëntor është edhe dita që na e kujton Meshën e parë të pas diktaturës te varrezat në Rrmaj.

     

Një veprimtari domethënëse përkujtimore e këtyre ditëve, ishte edhe Oratori me titullin simbolik “Rroftë Krishti Mbret”, shfaqur të shtunën më 2 nëntor, në Kishën e Shën Françeskut në Shkodër.

 

Mesha solemne në nder të t’Lumit Imzot Vinçenc Prennushit dhe Shokëve martirë, në Arqipëshkvin Shkodër - Pult do të kremtohet të martën më 5 nëntor në ora 17:00 në Katedralen e shën Shtjefnit në Shkodër.