E kremtja e Shën Françeskut

Përgjatë historisë së Kishës kanë qenë të shumtë ata që janë shndërruar në shembuj të mrekullueshëm përvujtërie, bujarie, dëlirësie, mëshire dhe kthimi, me pak fjalë shembuj të zbatimit të ungjillit me krejt jetën e tyre. Një figurë e tillë është pa diskutim edhe shën Françesku i Asizit, i cili për vete dhe fretërit e tij dëshironte vetëm një Rregull; të zbatojnë ungjillin e Zotit tonë Jezu Krishtit. Të flasësh për një shenjt si Françesku do të duheshin ditë, javë e muaj me radhë, kjo pasi çdo vepër të tijën ai e bënte në nder e lavd të Hyjit, që të lavdërohej Emri i tij tejet i shenjtë. E kremtja e Shën Françeskut, e cila festohet me datën 4 tetor, nuk është festë vetëm për familjen françeskane, por edhe për shumë e shumë besimtarë që ecin gjurmëve të tija në rrugën drejt shenjtërimit.

 

Një moment i veçantë i kësaj të kremteje është kalimi në amshim i shën Françeskut ose siç quhet ndryshe Transitus, që festohet me datën 3 tetor. Transitus është kremtuar në kishën e Shën Françeskut në Gjuhadol në orën 19:00. Udhëheqësi i kësaj liturgjie ishte provinciali i Provincës françeskane “Zoja Nunciatë” fra Pashko Gojçaj. Veçoria e Transitus qëndron në vetë thjeshtësinë e ritit, i cili pa stërhollime dhe detaje risjell momentin kur Ati ynë Serafik takohet me motrën Vdekje dhe kalon në amshim.

 

Riti ka filluar me procesionin, gjatë së cilit është kënduar “Salve Sancte Pater”. Ka ndjekur leximi i Letrës së frat Elisë drejtuar të gjitha provincave të Udhrit mbi vdekjen e shën Françeskut. Më pas ka vazhduar lutja e Mbrëmësores deri te Leximi i shkurtër, pas të cilit kanë vijuar leximet e tjera nga Burimet françeskane. Me të kryer leximet ka filluar procesioni nga kisha e Shën Françeskut për te motrat klarise, të cilat e pritën truporen e shën Françeskut me këngë e lavde. Në atë moment fra Pashku bëri një reflektim të shkurtër rreth domethënies së këtij kalimi si dhe rikujtoi edhe një herë të veçantën e karizmës françeskane, që është jetimi i ungjillit në dëgjesë, varfëri dhe pastërti. Pasi përfundimit të Mbrëmësores u bë bekimi dhe shpërndarja e bukëve, që tashmë është kthyer në një traditë të përvitshme.

 

Të nesërmen, më 04 tetor 2021, në kishën e Shën Françeskut janë kremtuar meshët në orën 07:00 dhe 18:00. Pasdite mesha është udhëhequr nga arqipeshkvi i Arqidioqezës Shkodër-Pult imzot Angelo Massafra, i cili gjatë predikimit të tij u bëri ftesë të gjithëve që ta jetojnë ungjillin ashtu siç e ka jetuar shën Françesku; sine glossa, pra ashtu siç është, pa stërhollime. Bashkëkremtues ishin meshtarë të shumtë nga dioqeza të ndryshme të Shqipërisë dhe jo vetëm. Të pranishëm ishin shumë rregulltarë, rregulltare, besimtarë e ndjekës të Varfanjakut të Asizit. Në fund guardiani i kuvendit të Shën Françeskut, fra Gazmend Tinaj, falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre dhe u uroi të gjithëve festën e shën Françeskut.

 

Teksti: Fra Lorenc Pepniku